Progres-raporti i KE për Shqipërinë, Soreca: Kodi Zgjedhor kusht i arritur, na vjen keq që u miratua pa kompromis!

8 Tetor 2020, 16:28 | Përditesimi i fundit: 2020-10-08 18:39:09

Ambasadori i BE Luigi Soreca, teksa ka prezantuar raportin e KE për Shqipërinë, në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, ka theksuar se miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ka mundësuar plotësimin e një prej kushteve të Shqipërisë për t’u ulur në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, por nga ana tjetër shprehu keqardhje që kjo nuk u bë me kompromisin e palëve.

"Një arritje është bërë, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që të ecin përpara me reformën zgjedhore, me 5 qershor. Ky është një kusht politik i përmbushur, megjithatë dialogu politik duhet të përmirësohet, pasi në 5 tetor e miratuan pa kompromis", tha Soreca në fillim të fjalës së tij, ku theksoi se ka pasur kritika se Komisioni ka qenë më pozitiv se ç'duhej në vlerësimin e vendit tonë, krahasuar me shtetet anëtare.