Projektbuxheti 2021 kalon në seancë plenare të enjten! Denaj: Objektivat janë të qarta

3 Nëntor 2020, 19:54

TIRANË- Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim projektligjin e buxhetit 2021, i cili ka si objektiv rimëkëmbjen e ekonomisë me 5.5% vitin e ardhshëm dhe rritje të ardhurave me rreth 12% krahasuar me vitin aktual.

Sipas projektbuxhetit, rigjallërimi i ekonomisë është i bazuar tek rritja e investimeve publike, financimi i nevojave të pandemisë, si dhe procesi i rindërtimit. Për vitin që vjen të ardhurat totale janë parashikuar në nivelin e 479 miliardë lekëve, me një rritje prej 32.5 miliardë lekë me të pritshmin e këtij viti. Por realizimi i këtij objektivi kërcënohet nga disa faktorë.

Është e vërtetë që të ardhurat varen nga pandemia që mos të kemi një mbyllje dhe e dyta nëse të gjithë do të paguajnë taksat. Padyshim informaliteti dhe çështjet që lidhen me evazionin janë problem i kësaj ministrie, por ne kemi thënë që vetëm me miradministrim rrisim me 1.5% të ardhurat”, u shpreh Denaj.

“Masat e marra dhe politikat e buxhetit 2021 janë politika që realizojnë objektivin për rimëkëmbjen ekonomike. Kjo do të shikohet në 6 mujorin e parë të vitit, me ecurinë dhe problemet e pandemisë, sidoqoftë ka koeficiente sigurie për të përballuar problematikat që mund të dalin”, tha Angjeli.

Komisioni i Ekonomisë nuk kaloj pa debate sa i takon objektivave të qeverisë dhe nivelit të varfërisë në vend.

“Sa është numri i njerëzve që këtë vit kanë rënë në varfëri ekstreme?”, pyeti deputeti Roshi.

“Rreziku për të qenë i varfër ekziston në çdo vend të botës edhe përpara pandemisë. Parashikohet që mesatarja e vendeve të BE është 16.9%. Në vitin 2017-2018 sipas INSTAT ka matur nivelin e të ardhurave dhe të jetesës që krahason me vendet e botës dhe të rajonit, rrezikun për të qenë i varfër në Shqipëri. Niveli i varfërisë në vend është llogaritur 23.4%, Rumani 23.5%, Hungari 12.8%”, iu përgjigj ministrja Denaj.