“E ardhmja është origjinë!” Kjo është motoja nën të cilën Ministria e Kulturës ka hapur thirrjet për projektet kulturore për vitin 2020. Thirrje kjo, që u drejtohet organizatave edhe shoqatave jofitimprurëse, duke përjashtuar aplikimin e një artisti në formë individuale. Për “ReportTV” artistët rrëfejnë jo vetëm se gjenden të papërgatitur përballë këtij ndryshimi, por e konsiderojnë të pavend, sepse është i pakonsultuar me komunitetin e artistëve.
“E vërteta e madhe është që duke qenë se ne kemi një mungesë të statusit të aktorit, nuk e kemi në shina ligjore të qenit aktor, regjisor dhe sigurisht që është shumë e vështirë për ta konfiguruar këtë në legjislacionin e tatim taksave. Që të shkojmë pranë QKR, që të shpallemi si person juridik apo fizik, e gjitha kjo vështirëson pjesëmarrjen e individit tashmë “të paregjistruar” nga shteti në një konkurrim, që patjetër do shinat e ombrellës së një shoqate apo të bashkëpunimeve të tjera”, shprehet aktori Genc Fuga, duke diktuar se për momentin artistët nuk janë në regjistrin kombëtar të pagesave, të papaguar për titullin që mbarsin, si aktor apo regjisor, prandaj MK kërkon këtë gjë.
“Jam shumë konfuz për këtë situatë, ne nuk mund të regjistrohemi sepse nuk parashikohemi nga një ligj i caktuar. Nga ana tjetër na kërkojnë që do regjistrohemi. Thonë që fondet do të jenë më të shumta, mendoj se është një politikë sociale, në një situatë, kur mendoj se individi apo kreativiteti i tij duhet që të marrë më shumë prioritet”, thotë Fuga, i cili shton se personalisht nuk do të marrë pjesë, sepse e ka të pamundur për shkak të kushteve.
