Projektligji i fiskalizimit/ PD: Kasat fiskale jashtë përdorimit, ligji i ri zhvat bizneset

2 Gusht 2019, 16:08 | Përditesimi: 2 Gusht 2019, 16:08

Partia Demokratike me anë të një deklarate për mediat ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe ndaj ministrisë së financave duke thënë se me ligjin e ri për fiskalizimin digjital, do të zhvasë bizneset.

Më anë të ish-deputetit, Endri Hasa, PD thotë me tej se qeveria po përgatit ligjin, i cili nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale të bizneseve dhe i zëvendëson ato me një sistem të ri për faturat.

Edhe pse ministria e Financave ka deklaruar se kasat fiskale është në dorën e bizneseve se çdo të bëhet me to, nëse do të 'updatohen; me aplikacionin  e ri, Hasa thotë se rreth 140 mijë kasa fiskale do të dalin jashtë përdorimit dhe se firma elektronike kushton nga 50 deri në 110 Euro për çdo biznes.

Deklarata e plotë e Endri Hasës:

Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi tenderin e paracaktuar të sistemit të ri të faturimit të biznesit si një zhvatje e re për biznesin për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Edi Ramës.

Sot, pas një viti, gjithçka ne paralajmëruam, është realitet. Qeveria ka paraqitur ligjin e zhvatjes së re të biznesit, nëpërmjet nxjerrjes jashtë përdorimit të kasave fiskale dhe futjes në përdorim të një sistemi të ri, që kushton para për çdo biznes që punon në Shqipëri.

Me ligjin e ri të qeverisë, të gjitha pajisjet fiskale në përdorim të biznesit, përfshirë rreth 140 mijë kasa fiskale, do të dalin jashtë përdorimit. Në vend të tyre, qeveria po krijon me ligj një sistem të ri për faturat, duke detyruar çdo biznes të deklarojë çdo veprim në kohë reale.

Ky ligj rrit kostot pë biznesin, cënon konkurencën e lirë, vret vendet e punës dhe çon drejt falimentimit mijëra biznese.

b.ha./Shqiptarja.com