Projektligji për Akademinë, Gjinushi: Në prag të anëtarësimit, shkenca duhet të jetë në standardet e BE

10 Maj 2019, 16:38

Kanë nisur sot shqyrtimi i projektligjit për Reformën në Akademinë e Shkencave në komisionin e Medias dhe Edukimit. Risitë e këtij projektligji, që është dorëzuar në qeveri para një viti, i shpjegoi akademiku Skënder Gjinushi. Sipas tij, ky reformim i Akademisë së Shkencave vjen pas një presioni të bërë nga opinioni publikë, por edhe i qeverisë shqiptare.

“Kjo reformë kërkohet, pasi edhe vet kërkimi shkencor në vend është para një reformimi thelbësor të vetin. Tashmë jemi në periudhën, që meqenëse jemi në prag të anëtarësimit në BE edhe shkenca të jetë në nivelin edhe në standardet e BE-së”, shprehet akademiku Skënder Gjinushi.

Gjinushi më tej shpjegon se anëtarësimet në Akademinë e Shkencave nuk janë më atribut vetëm i asamblesë.

 “Riformulohet vet modeli i akademisë, me një asamble që ka rol promovues, por pranë saj mund të ngrihet edhe një qendër kërkimi. Projektligji i jep rëndësi edhe marrëdhënies së akademisë me qeverinë edhe kuvendin, si një organ këshillimor, që duhet të dijë të bëjë që të dëgjohet, por edhe të ketë një urë bashkëpunimi me akademinë e dhe kuvendin”, shpjegon më tej Gjinushi.

Deputetet e pranishme kërkuan edhe që të mësojnë më shumë për kontributin e këtij institucioni në thithjen e trurit, por edhe në zhvillimin e kërkimeve shkencore në vend.

 “Me bërjen e ligjit të ri të shkencës patjetër që duhet të harmonizuar projektligji i shkencës me atë të akademisë”.

Ndërsa, deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, sugjeroi që Akademia e Shkencave të mos jetë vetëm honorifike, por edhe të kontribuoj në nivelin e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Gjatë ditëve në vazhdim projektligji i Akademisë së Shkencave do të diskutohet edhe me grupet e tjera të interesit, siç janë institutet apo universitetet.