Projektligji për 'Kadastrën', amnisti për të gjitha kamatëvonesat tek Hipoteka

28 Nëntor 2018, 14:08

Kush nuk ka bërë në afatin e parashikuar nga ligji regjistrimin e ndryshimit në pronësinë e patundshme pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Patundshme ka shansin që të zerojë këtë detyrim. Në projektligjin “Për Kadastrën”, që është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe është paraqitur pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, parashikohet me nen të veçantë një amnisti për të gjitha kamatvonesat, pavarësisht nga madhësia e tyre.

Amendimi
Sipas Nenit 72 “Përjashtimet dhe shuarja e kamatvonesave në regjistrim” të projektligjit të ri, të gjitha subjektet që gëzojnë një titull pronësie apo të drejtë tjetër reale të fituar në përputhje me ligjin dhe të regjistrueshëm në regjistrat publikë sipas nenit 193, të Kodit Civil, dhe që nuk kanë aplikuar për regjistrim pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda afatit ligjor, rivendosen në afat për aplikim, 30 ditë duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Pra ata do të kenë edhe 30 ditë afat që të aplikojnë pa detyrime shtesë, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, që normalisht do të ndjekë procedurën zyrtare, të miratimit nga Kuvendi, dekretimit nga presidenti i Republikës dhe publikimit në Fletoren Zyrtare, zakonisht me një periudhë 15-ditore deri sa të zyrtarizohet. 

Nga ky moment, të gjithë kamatëvonesat që janë gjeneruar nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, për shkak të mosaplikimit në kohë për regjistrim të dokumentacionit, sipas nenit 39, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive te paluajtshme”, të ndryshuar, shuhen. Pra, subjektet, që aplikojnë brenda afatit të parashikuar në pikën e parë të këtij neni, paguajnë vetëm tarifën aktuale për regjistrimin e aktit. Pra, u jepet edhe një afat shtesë prej një muaji.