Prokurori Besnik Cani në vetting, Komisioni: S’justifikon pasurinë, shkelje me tre dosje, pushoi hetimet për tenderat në Elbasan

23 Nëntor 2018, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2018-11-23 17:37:55

TIRANE-Prokurori Besnik Cani ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin në tre shtyllat; pasurinë, integritet moral dhe profesional. E ndërsa sipas ILDKPKI në aspektin e pasurisë, Cani është në rregull, nuk mendon kështu KPK, e cila pas kontrolleve që ka bërë del në përfundimin se prokurori nuk justifikon pasurinë. “Prokurori Besnik Cani ka një apartament 117 m2 në ‘Don Bosko’, troje në Paskuqan 630 m2 dhe 690 m2, por edhe dy ndërtesa në këtë zonë 150 m2 dhe 300 m2, garazh dhe një makinë. Truallin në Paskuqan 690 m2 dhe banesën 300 m2, Cani thotë se e ka bërë me 700 mijë lekë. Por nuk e justifikon pasi thotë e ka bërë me argat dhe të afërmit e tij.

Më 27 janar 2016 ka bërë kontratë qiraje me shoqërinë “K.shpk” për 1000m2 për afro 20 vite. K.shpk me këtë kontratë qiraje ka marrë përsipër lejen e sheh ndërtimit për të ndërtuar karburant lavazh dhe bar kafe. Në 2017 kjo kontratë është anuluar. Në këtë kontratë Cani do të përfitonte 5 lekë për cdo litër karburant të shitur. Nga verifikimi rezultoi se karburanti administrohej nga K.shpk ndërsa lavazhi e bar kafeja nga djali i prokurorit Cani. Pasi kompania kishte hequr dorë për të administruar lokali dhe lavazhin.

Kjo kontratë marrëdhënie shkon ndesh me statusin e gjyqtarit e prokurorëve për shkak të funksioneve. Bëmë kërkesë në ILDKP nëse kjo kontratë përben apo jo konflikt interesi. ILDKP na ka sjellë përgjigje duke thënë se nuk ka konflikt interesi për shkak të funksionit të Besnik Cani. Hetuam nëse Cani kishte kryer hetime për këtë kompani ose për ndonjë përfaqësues të saj po rezultoi se nuk kishte. Në disa vite Cani ka pasur mungesë për të justifikuar shpenzimet me të ardhurat, në 2005-2011 ka një bilanc negativ prej 819 mijë lekë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta njofton se përsa i përket figurës, DSIK nuk ka gjetur asnjë problem duke rekomanduar vijimin e detyrës, po ashtu edhe ana profesionale. “DSIK ka sjell raport se Cani nuk ka kontakte të papërshtatshme dhe se duhet të vazhdoj detyrën. Për Canin ka disa denoncime për korrupsion dhe kontakte me krimin e organizuar. U ripërditësua raporti i DSIK dhe pas këtyre verifikimeve u konfirmua se nuk ka asnjë kontakt dhe është i përshtatshëm për të qenë prokuror. Prokuroria e përgjithshme ka sjell raport për anën profesionale ku thotë se është i aftë në aspektin profesional dhe korrekt në pune. Vlerësuar shumë mire edhe nga prokuroria e përgjithshme nga 2014-2016” deklaron KPK.

Megjithatë Komisioni ka ngriture dyshime për një vendim të prokurorit në shtator të 2015 kur ka qenë në Elbasan. “Në një dosje të verifikuar ka rezultuar me probleme nga ana jone. Për vendimin e datës 10 shtator 2015. Prokurori i cështjes XH.S. kishte vendosur dërgimin në gjyq të dosjen me të pandehur B. Gj. akuzuar për kanosje gjyqtari. Kjo dosje i kaloi për kontroll Canit në Elbasan kur ishte drejtues. Cani vendosi shfuqizimin e prokurorit për dërgimin e cështjes në gjyq dhe u pushua cështja. Vlerësojmë se ka dyshime për ligjshmërinë e vendimit të Canit pasi ka ricilësuar veprën penale dhe bazën ligjore që ka përdorur” tha komisioni.

Gjithashtu janë ngritur dyshime për kontratën e qirasë që mund të përbëjë konflikt interesi, por edhe të faktit që mund të ketë përfituar një kredi të butë. “Lidhur me kontratën me K.shpk kontratën e qirasë është konstatuar se në tetor 2018 ONM ka sjellë opinion. Ne do të analizojmë këtë opinion gjatë vendimmarrjes tonë. Në një analize të përgjithshme të kontratës dhe amendamenteve të saj, vlerësojmë se: kontrata nuk mund të jetë kontratë qiraje pasi nuk ka elementë të tillë për një kontratë qiraje parashikuar në Kodin Civil. Marrëdhënia e Canit me k.shpk duket si pjesëmarrje në shoqëri ku secila palë sjellë një send apo investim e ndajë fitimet.

Kjo kontratë mund të përbejë konflikt interesi sipas urdhrit të prokurorit të përgjithshëm lëshuar në 2014. Kjo rrethanë komplekse sjell humbjen e besimit nga publiku tek prokurori. Dokumentet e paraqitura si prove nga Cani do të shqyrtohen para marrjes së vendimit. Morëm të dhëna nga një portal për një lajm të publikuar tek p....com në 2018. Në këtë artikull denoncohej se Cani kishte përfituar kredi për status si i pastrehë. Sipas lajmit Cani kishte zvarrite hetimet për anëtar të këshillit bashkiak Fier e Kryebashkiakut.

Sipas lajmit ata ishin përfshirë në skemë korruptive për qiratë e buta. Po sipas lajmit Cani i favorizonte. I kërkuam bashkisë Fier dosjen e kredisë së butë të fituar nga Cani. Kjo dosje nuk erdhi pasi bashkia se dispononte më. Kemi dyshime të arsyeshme se ka përfituar kredinë e bute në mënyrë të padrejtë. Nga një përgjigje e dytë e bashkisë Fier thuhet se zonja l. Cani bashkëshortja e Besnikut nuk a marre kredi por vetëm statusin si e pastrehë. Denoncimi për Canin se në 2008 nuk kishte hetuar kryebashkiakin e këtij qyteti dhe këshillin bashkiak. Morëm dosjen e këtij hetimi” sqaron më tej komisioni.

Ndaj prokurorit ka pasur disa denoncime për mbyllje dosjesh; e para për mbylljen e një dosje për një person për shkaktim vetëvrasje dhe korrupsion dhe e dyta për pushimin e hetimet për tenderat në spitalin Psikiatrik të Elbasanit edhe pse zbuloi se kishte falsifikim dokumentesh. “Ndaj Canit ka pasur denoncim nga N.K. akuzohet për kontakte të papërshtatshme dhe korrupsion. N.k deklaroi se Cani la lidhje me grupe kriminale Shkodrës e Lushnjës. N.K. deklaroi se “prokurori Besnik Cani më ka kërkuar 15 mijë euro për një cështje ta mbyllte dhe nuk pranova”.  N.K. thotë se Cani nuk ka bërë kurë shkollë drejtësie.

N. K. ka bërë denoncim të dytë ku thotë se Cani të lëvizë nga Shkodra në Fier ka paguar 150 mije euro. KPK: Kemi thirrur denoncuesin N.K, por ai nuk ka pranuar të vijë duke thënë se çfarë kishte për të thënë i ka thënë. Këto denoncime i vlerësojmë të paprovuara. Ka një denoncim për Cani nga A.R i akuzuar për vjedhje. Denoncimi A.R. nuk ka asnjë indicie apo provë që përfshin Canin. Denoncimi i bërë nga S.B, ka denoncuar se Cani ka vile 4 katëshe në Paskuqan, karburant. Po ashtu ka denoncuar se ka dy djem që jetojnë në Austri që sipas denoncuesit bëjmë jetë luksi.

Hipoteka na ka sjell përgjigje se babai i prokurorit nuk ka pasuri në emër të tij. Po ashtu edhe tek ALUIZNI rezulton se babai prokurorit në 2006 ka pasur deklarim për ndërtesë 2 katëshe. Bëmë këqyrje në terren ndërtesa e dykatëshe dhe jo 4 katëshe sikur thote S.B. tentuam të lidhemi me këtë shtetas në telefon, por numri nuk ishte i saktë. Në adresë i nisëm ftesë por ishte e pasaktë. Referuar sa më sipër s’u arrit të provohet pretendimi i ngritur nga denoncuesi, ishte i pasaktë. Denoncimi tjetër i bërë nga B.V në 2017.

Sipas denoncimit Cani ka mbyllur dosjen e V.H të akuzuar për vrasje. Sipas denoncimit u pagua 50 mijë euro. Morëm dosjen 1340 viti 2007. Nga shqyrtimi dokumenteve Cani ka nisur hetimet. Cani pas vendimit të eprorit 2008, me 11 prill 2008 ka plotësuar akuzën edhe për shkaktim vetëvrasje. Është ripërpiluar kërkesa për gjykimin penal duke kërkuar gjykim për V.H me akuzën shkaktim vetëvrasje e korrupsion pasiv. Vërejmë se Cani nuk është thelluar në hetime dhe padrejtësisht ka pushuar akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes herën e parë dhe herën e dyte pas hetimit e vendosi. Cani hetoi një kallëzim për tenderat në spitalin Psikiatrik në Elbasan. Por pasi hetoi e pushoi akuzën për favorizim me garë, zbuloi se kishte falsifikim dokumentesh por se hetoi këtë gjë” tha komisioni.

Pas seancës dëgjimore trupa e përbërë nga; Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici do të japë vendimin për fatin e prokurorit në datë 27 nëntor ora 11:00. Besnik Cani është kandidati i fundit i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Besnik Cani e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2003, i emëruar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Përgjatë 15 viteve, ai ka drejtuar prokuroritë e Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit dhe së fundmi është emëruar në kabinetin e Prokurorit të Përgjithshëm. Cani ka qenë më parë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë.