Prokurori Ervin Karanxha godet grupin e grabitjes së pronave në Vlorë, të pandehur 9 zyrtarë e biznesmeni që rrëmbeu kompleksin 'Ambel Beach'

5 Prill 2021, 18:41

Prokurori Ervin Karanxha, pas hetimeve disamujore, ka goditur një grup që përvetësonte pronat në Dhërmi të Vlorës, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të hipotekës, biznesmenë dhe avokatë. Sipas dosjes, të pandehur janë marrë dhe kërkohet dënimi i tyre nga gjykata, biznesmeni i Helidon Gjikoka, i dënuar më parë dhe që akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikime, avokati Ariton Kasaj i akuzuar gjithashtu për mashtrim dhe falsifikime, si dhe inxhinieri Adiseldo Rrapaj, ish-drejtori i Legalizimeve Vlorë Ardian Musta, punonjësja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Enida Bukuroshi, Jonida Hallvaxhiu gjithashtu punonjëse e Kadastrës, Denis Metaj, Erdet Mandi dhe Arber Jaupaj, punonjës të Legalizimeve në Vlorë, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Grupi prej 9 personash akuzohen se kanë përvetësuar përmes mashtrimit, falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës një sipërfaqe 1430 m2, në lagjen "Perivolo" të Dhërmiut, aty ku është ndërtuar kompleksi turistik “Ambel Beach”, me disa shtëpi pushimi. Pasuria ishte e Ilir Kokës, i cili e kishte trashëguar me testament nga babai. Pasuria e Ilir Kokës ka kaluar në pronësi të biznesmenit Helidon Gjikoka, i cili është hetuar në mungesë, për shkak të arratisjes së tij në Angli pas lëshimit të një urdhër për arrestimin e tij. Hetimet ka nisur pas kallëzimit nga ana e Ilir Kokës dhe kanë zgjatur rreth 8 muaj.

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në Greqi, ka autorizuar me prokurë Helidon Gjikokën, të cilin e kishte djalë halle, për të ndjekur punimet e një kompleksi në tokën e tij, por në asnjë rast nuk i ka dhënë tagër për të kaluar kompleksin në emrin e tij. Pasi kanë mbarur punimet, Helidoni administronte pasurinë dhe në fund të sezonit turistik i jepte Ilirit një pjesë të fitimeve. Në shtator të vitit 2018, avokati Ariton Kasaj, ka firmosur në vend të Ilir Kokës duket i dhënë me qira kompleksin Helidon Gjikoka, për 20 mijë lekë në muaj. Ilir Koka, sapo ka marrë dijeni e ka rrëzuar këtë kontratë në gjykatë.

Po në vitin 2008, Helidoni ka ndryshuar kontratën me O.SH.E.E, nga emri i Ilir në emrin e tij. Në shkurt të vitit 2019, Ilir Koka ishte informuar se Helidon Gjikoka kishte legalizuar objektin dhe kishte arritur të siguronte vërtetimin hipotekor për sipërfaqe ndërtimi 479 m2, pjesë e pasurisë së Ilirit. Juristi, i cili është marrë me praktikën dhe ka firmosur vërtetimin hipotekor, është Vezir Gjikokaj, i djali i kushëririt të parë të Helidonit. Duke parë se prona e tij po i rrëmbehej gradualisht, Ilir Koka ka tentuar ta zgjidhë çështjen me marrëveshje, pro ai është kërcënua nga Helidon Gjikoka, se nëse e kërkonte këtë të drejtë, ai do t’i merrte edhe shtëpinë që i kishte lënë babai. Dhe kështu kishte ndodhur.