Prokurori i Tahirit dhe gjyqtari Medja kaluan Vettingun, ONM kërkon shkarkimin

9 Gusht 2018, 15:35

Pas kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Bedja, dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar apelimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda Gentian Osmani dhe të gjyqtarit Gentian Medja.

Komisioneri Publik ka informuar se kërkesa e ONM-s po shqyrtohet dhe sapo të kenë vendimet e arsyeturara për Osmanin dhe Medjën ata do të vendosin për ankimin. Të dy subjektet e rikonfirmuara në detyrë si Osmani dhe Medja ishin pjesë e listës prioritare pasi Osmani garonte për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa Medja për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Sipas ligjit në fuqi, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. 

Osmani dhe Medja u rikonfirmuan në detyrë nga komisioni i Vettingut me argumentin se ata kishin deklarim të saktë pasurie, s’kishin fshehur pasuri, nuk kishin kontakte me të inkriminuar dhe profesionalisht ishin të aftë.