Prokurori që firmosi arrestimin e dy “peshqve të mëdhenj” del para Vettingut

6 Nëntor 2018, 12:21 | Përditesimi: 6 Nëntor 2018, 12:21

Prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme Ramadan Troci do të paraqitet ditën e premte para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit ndaj tij. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që po shqyrton dosjen e prokurorit Troci përbëhet nga Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo) dhe Suela Zhegu. Trupa gjykuese do ta njohë prokurorin me gjetjet e hetimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Ramadan Troci njihet ndryshe edhe si prokurori që goditi ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët më pas u shpëtuan nga gjykatat. Ramadan Troci ka firmosur arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e bankës. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u prangos mbrëmjen e 5-shtatorit 2014, në zyrën e tij, në selinë qendrore të Bankës.

Sipas Prokurorisë, Fullani kishte abuzuar me detyrën e tij në 5 pika konkrete, duke lënë terren për abuzime që sollën deri në vjedhjen e shumës prej 713 milion dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Në përfundim gjykata i rrëzoi këto akuza, ndërsa Fullani mori 56 rroga dëmshpërblim. Ndërkaq, në shkurt të 2015, Prokurori Ramadan Troci firmosi urdhër-arrestin edhe për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Edhe Gjika u shpall i pafajshëm nga gjykata.

b.ha./Shqiptarja.com