Prokuroria çon në gjyq Lulzim Bashën për 675 mijë $ në SHBA, bie akuza për pastrim parash

8 Nëntor 2019, 17:53

TIRANË -Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, do të shkojë i pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Kjo është hera e dytë që lideri i opozitës përballet me drejtësinë në Gjykatë, pas akuzave për korrupsion në ndërtimin e Rrugës së Kombit si ministër i Transporteve.

Ditën e djeshme, më 7 nëntor, organi i akuzës ka mbyllur hetimet duke dërguar dosjen në gjykatë, dhe ka njoftuar kryedemokratin për marrjen të pandehur për veprat penale "Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve” në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ, ndërsa akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", ka rënë.

Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha njoftojnë kryedemokratin së bashku me ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani dhe financierin e partisë, Ilir Dervishin, gjithashtu të marrë të pandehur për mbylljen e fazës hetimore.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.Ndalur tek dëshmia e personit të konsideruar kyc në këto hetime, lobistin Nik Muzin, prokuroria shqiptare ka publikuar për herë të parë përgjigjen e letër-porosisë amerikane e cila thotë se autoritetet amerikane të përfaqësuara nga Linda Mc Kinney, kërkojnë nga Prokuroria Shqiptare për pyetur Nik Muzin në cilësinë e dëshmitarit.