Prokuroria: Dalja e përgjimeve pengon hetimin. Në dosjen 339 të gjithë forcat politike të përfshira në Durrës dhe Lezhë

5 Qershor 2019, 17:34

Të gjitha forcat politike janë të përfshira në shit-blerjen e votës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 - thotë Prokuroria për Krime të Rënda duke ju referuar hetimeve të kryera në kuadër të dosjes penale numër 339. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë hetimit për “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” janë konstatuar "të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësuesve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e  Durrësit dhe të Lezhës".

Reagimi i plote i Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria prane Gjykates Shkalles se Pare Per Krime te Renda Tirane, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të nxjerra në disa media të ndryshme sot më datë 5 Qershor 2019 për nxjerrjen e disa përgjimeve telefonike në procedimin penal nr.339/2016, njofton se:

Më datë 26.10.2018 në kuadër të procedimit penal nr 339 të vitit 2016 të regjistruar për veprat penale të “ Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të Narkotikëve” “ Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “ Kryerjes së veprës penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar krimal”, ka regjistruar dhe hetimin për veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a/3 i Kodit Penal.

Ky hetim është regjistruar pasi në disa media janë publikuar të dhëna sekrete që dëmtojnë rëndë hetimin e procedimit penal. Më datë 01.02.2019 nga ana e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, është vendosur që ky hetim të kryhet nga grup hetimorë i përbërë nga tre prokurorë, duke i shtuar grupit hetimorë ekzistues dhe një prokuror dhe një oficer tjetër të policisë gjyqësore të Prokurorisë, për rritjen e efikasitetit të hetimit.

Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake. Në kuadër të këtij hetimi ju njoftojmë se po hetohen 74 persona me masa sigurimi të ndryshme, për vepra penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” “Trafikim i narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.