Partia Demokratike e Shqipërisë, me shkresën Nr.121 Prot., datë 01.08.2019 ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën me objekt “Verifikimin e pastërtisë së figurës të shtetasit Valdrin Luigj Pjetri”. Në vijim, me shkresën Nr.121/1 Prot., datë 05.08.2019, në zbatim të përcaktimeve të pikës 2 të nenit 7, të Ligjit Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ky subjekt ka dërguar bashkëlidhur nënshkrimet e jo më pak se 500 shtetasve me të drejtë vote, në mbështjetje të kërkesës për verifikim të figurës së shtetasit Valdrin Luigj Pjetri.
Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në parashikimet e Ligjit Nr.138/2015 ka kryer verifikime të thelluara të deklarimeve të subjektit Valdrin Pjetri, të paraqitura në dy Formularë Vetëdeklarimi.
1. Formularit të Vetëdeklarimit, dorëzuar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga subjekti Valdrin Luigj Pjetri, në cilësinë e kandidatit për Kryetar të Bashkisë Shkodër.
2. Formularit të Vetëdeklarimit dorëzuar pranë Departamentit të Administratës Publike, nga subjekti Valdrin Luigj Pjetri,në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Aseteve në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në përfundim të verifikimeve të kryera është provuar se subjekti Valdrin Luigj Pjetri:
· Është arrestuar në flagrancë nga personeli i Policisë së Shtetit së Firences në datën 27.01.2003 së bashku me një shtetas tjetër shqiptar për shkelje të ligjeve mbi lëndën narkotike bazuar në ex art 73 DPR 309/90.
· Me vendimin penal Nr.474 të Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Luigj Pjetri është deklaruar fajtor për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe nga neni 73 paragrafi i 1i Dekretit të Presidentit të Republikës të Republikës së Italisë, nr.309/90 dhe është dënuar me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 2000 (dymijë) Euro, të zbritur për shkak të njohjes së rrethanave lehtësuese të përgjithshme, në 27 (njëzet e shtatë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.500 (njëmijë e pesëqind) Euro, e cila është zbritur për shkak të llojit të gjykimit në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.000 (njëmijë) Euro. Pezullim të dënimit dhe mospërmendje. Vendim i formës së prerë.
· I është revokuar leja e qëndrimit më datë 03.02.2003 nga Kuestori i Firencës.
· Është dëbuar nga territori Italian më datë 04.02.2003, masë e marrë nga Prefekti i Firences. Afati i dëbimit përfundoi më datë 24.07.2015.
Mbi këtë bazë dhe referuar parashikimeve të ligjit Nr.138/2015, si dhe Vendimit të Kuvendit Nr.17/2016 është arritur në konkluzionet se:
1. Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri,përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 pika 1 gërma “a” e ligjit Nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për shkak tëdënimit nga Gjykata e Firences me vendim të formës së prerë.
2. Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri,përfshihet dhe në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, Kreu III-të, i Vendimit Nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mosdeklarimit prej tij në Formularët e Vetëdeklarimit të arrestit në flagrancë, ndjekjes penale ndaj tij në Itali, mosdeklarimit të dënimit penal të formës së prerë dhënë ndaj tij nga Gjykata e Firences dhe mosdeklarimit të masës së dëbimit nga shteti Italian.
Në përfundim të procesit vendimarrja i komunikohet subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe Departamentit të Administratës Publike.
Në lidhje me mosdeklarimet prej subjektit në Formularët e Vetëdeklarimeve të fakteve të konstatuara materialet i kaluan për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Zyra e Shtypit
pranë Prokurorit të Përgjithshëm