Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale nga Parlamenti, në janar të vitit 2017, ka reduktuar veprat penale, të cilat do të jenë në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Fillimisht, Kushtetuta e ndryshuar, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut. Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, 33 vepra penale i janë hequr si objekt i veprimtarisë së SPAK-ut.
Ndërkaq, përpos veprave penale të mbetura, në ndryshimet e bëra në janar 2017, janë shtuar disa vepra të tjera penale që do të jenë në kompetencë të SPAK-ut, duke e çuar këtë numër në 18. Konkretisht ka ndryshuar neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Pika 1 e nenit 8 të ligjit për SPAK-un parashikon që kompetenca lëndore të organeve të SPAK-ut përcaktohet në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penal. Në kohën kur hyri në fuqi ligji i SPAK-ut, nenin 75/a i KPP përmbante 40 vepra penale, ndërsa me ndryshimet e bëra në 2017, u hoqën 33 vepra penale si dhe u shtuan 11 të tjera. Megjithatë, kompetenca më e rëndësishme e SPAK-ut, ajo e hetimit të çdo akuze kundër funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetëror, nuk ka ndryshuar, pasi është parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e ndryshuar me 140 vota në mesin e vitit 2016.