TIRANE-Partia Demokratike përmes një letre të firmosur nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, i cili sipas selisë blu ka qenë i arrestuar dhe është i kërkuar në Greqi me emrin Jorgo Toto për një krim që dënohet me 10 vjet burg.
Partia më e madhe në opozitë thotë se kërkesën e saj e bazon te e drejta që i jep ligji. Partia Demokratike kërkon të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 Gusht deri në 5 Shtator.
Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Kajmakut iu dërgua një kërkesë të dorëzojë gjurmët e gishtërinjve, por shtoi se nuk mbërriti për shkak se shërbimi postar ngatërroi adresë. Për këtë shkak, njoftoi prokuroria shenjat e gishtërinjve të Kajmakut që u dërguan në Greqi janë administruar përmes pasaportës.
Por këtë pretendim Posta Shqiptare e hodhi poshtë duke thënë se 'porosia' për Kajmakun nga Prokuroria e Përgjithshme është dorëzuar në destinacion brenda 72 orësh dhe nuk ka pasur ngatërresë. Sipas tyre kjo është lehtë e verifikueshme pasi është firmosur nga sekretaria e bashkisë së Vorës.
Në këtë përplasje, PD-ja gjen fajtorin, që sipas saj është Arta Marku, drejtuese e prokurorisë së përgjithshme, që për Bardhin ka qëllim mbrojtjen e Agim Kajmakut, ndërsa i drejton edhe disa pyetje në letrën e dërguar. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet që ngre Partia Demokratike për prokurorinë.
Lidhur me Kajmakun PD-ja ka publikuar një dokument sipas saj nga sistemi TIMS me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën është arrestuar dhe një tjetër po nga sistemi TIMS që tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku nga ku del në përfundimin se janë i njëjti person. Sipas selisë blu kjo vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto në Greqi në fakt është Agim Kajmaku.
Deklarata e Partisë Demokratike
Letra e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje mashtrimin publik të prokurorisë për pretendimin se Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar akoma gjurmët e gishtërinjve, përtej afatit 5 ditor të përcaktuar nga ligji, sepse, siç u shpreh prokuroria, “shërbimi postar ka ngatërruar adresën e tij dhe ende nuk ka dorëzuar shkresën.” Në letër theksohet përgënjeshtrimi i ardhur nga Posta Shqiptare, e cila konfirmoi se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë, fakt ky që, siç deklaroi Posta, vërtetohet lehtësisht në dy mënyra:
1. Sistemin e dërgesave nga bar kodi përkatës.
2. Prova e dorëzimit e firmosur nga sekretaria e Bashkisë Vorë”.
Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. “Çuditërisht, nga ana juaj më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD për të marrë të gjithë dokumentacionin me veprimet e Prokurorisë për këtë çështje.
Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet konkrete që ngre Partia Demokratike dhe për te cilat prokuroria është r detyruar të përgjigjet.
Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi shpreh bindjen e forcës më të madhe të opozitës se “çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të prokurorisë mbi këtë çështje, do të evidentonte edhe më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e shtetases Arta Marku, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit. Ju, sipas urdhrit të Edi Ramës, mund ta zvarrisni, pengoni apo tentoni ta manipuloni të vërtetën, por ju kurrsesi nuk do mund të pengoni që ajo të dal qartë dhe në mënyrë të pakontestueshme përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë!- thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike për të zbardhur veprimet e prokurorisë për çështjen e Agim Kajmakut, i cili ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit faktin se është arrestuar në Greqi dhe është akoma në kërkim atje për një krim që dënohet me 10 vjet burg.