Gazeta gjermane 'Bild' ka publikuar disa audio-përgjime të reja mes Astrit Avdylajt, njëri nga anëtarët e bandës së Shijakut dhe kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako por edhe me disa zyrtarë të tjerë. Përgjimet i ka vetëm prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi cështja është ende në faza hetimore duke lënë të kuptohet qartë se CD-të me përgjimet e dosjes 339 ia është dhënë 'Bild'-it nga ndonjë prokuror që ka aktualisht ose që ka pasur në dispozicion materialin audio.
Vete autori i shkrimit Pieter Tide (autori edhe i një shkrimi të disa javëve përpara shumë kritik ndaj qeverisë socialiste) në një postim në Facebook e ka pranuar që ka marrë materialin audio ''nga disa prokurorë kurajozë që nuk duhet të dorëzohen në luftën kundër mafias''.
Pas furnizimit nga prokuroria shqiptare me përgjimet, bisedat janë publikuar nga 'Bild' vetëm një ditë pasi mbërriti Lulzim Basha në Gjermani, i cili vijon takimet në Berlin. Sipas autorit të shkrimit gjithë bisedat kanë ndodhur para zgjedhjeve të 2017, edhe pse konkretisht për shumë biseda nuk janë botuar me datën.
Në bisedën e parë të publikuar, Astrit Avdyli telefonon Dakon dhe i thotë se ndodhet me Vath Allën (person me të kaluar kriminale) në Hipotekë duke pritur Ani Dyrmishin, ish-drejtor i Hipotekës, aktualisht drejtor i Hekurudhave. Astrit Avdyli i thotë më pas Dakos që të mos udhëtojë në Ishëm, por të takohen në Durrës sikur e kishin lënë dhe Dako pranon duke ndryshuar axhendën.
Më 28 Mars 2017, Astrit Avdyli përgjohet duke folur edhe me kryetarin e bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani. Ata flasin për një takim me të, Dakon, deputetin Ilir Ndrazhi dhe vëllain e tij. Në një tjetër përgjim, data e të cilit nuk dihet, Astrit Avdyli flet me vëllanë e deputetit të PS-së. Ilir Ndrazhi.
Në bisedën mes Arjan Ndrazhit dhe Avdylit, kuptohet se Avdyli po tregon punën intensive që po bën te lagja e vet duke kërkuar vota. Në përgjime ka dalë edhe kandidati aktual për kryebashkiak të Shijakut në zgjedhjet e 30 qershorit Elton Arbana, në atë kohë kryetar i PS-së kur është përgjuar.
Në bisedë Avdyli ankohet për një gjobë 5 milionë lekë që një inspektor i INUK-ut i ka vendosur në Fermë të Sukthit, por vetë Arbana sqaron qe ai nuk punon më te INUK-u se sipas tij e kanë shkarkuar pikërisht pse kishte bërë disa ndërhyrje.
Një tjetër bisedë e zbardhur është edhe ajo mes Astrit Avdylit dhe drejtorit të Ujësjellësit të Shijakut, Ivo Doçi. Mes tyre flitet për lista punonjësish që janë me PD-në dhe kundër tyre: edhe njëherë këtu Avdyli vete propozohet për të ndërhyjë pranë atyre punonjësve duke kërkuar votat.
Ndërsa në një tjetër përgjim, Astrit Avdyli flet me një person që është votues. Avdyli kërkon hapur votat ndërkohë që nga krahu tjetër i telefonit merr një përgjigje pozitive, duke garantuar që ''ne jemi gjithmonë me ju''.
Kjo le të nënkuptohet që bashkëbiseduesi duhet të ishte ndonjë person i lidhur me bandën e Avdylajve. Ato që bën përshtypje është që në asnjë rast në bisedat telefonike nuk flitet për shuma dhe para të premtuar kundrejt votave, ndërsa duket qartë se vetë Avdylaj premton ndërhyrje dhe presione për të garantuar mbështetje për deputetin e partia Socialiste kryesisht në zonë e Shjiakut.