Prokuroria kërkon drejtuesit e vërtetë të grupit të armatosur në celularët e 10 paramilitarëve të PD

23 Prill 2021, 13:38

Shoferi i makinës ML pa targa e ndaluar nga banda e armatosur e PD që patrullonte në Elbasan për “mbrojtjen e votës”, incident që u mbyll me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, u mor në pyetje nga skuadra e PD-së që pretendonte se ky njeri po bënte shitblerje votash. Pyetësori, i bërë me metoda të ashpra para se të vinte policia, është filmuar nga Arjan Hoxha, kreu i sigurisë së Gazmend Bardhit. Ajo video është gjetur nga policia në telefonin celular të Arjan Hoxhës dhe tani është provë në duart e prokurorisë kundër grupit të armatosur që tashmë është në qeli. Mes të arrestuarve është edhe Hoxha. 

Gjatë marrjes në pyetje në mënyrë të paligjshme, i ndaluari këmbëngulte t’i thonte Arjan Hoxhës dhe pjesës tjetër të grupit paraushtarak të drejtuar nga ish-Renea Arbër Paplekaj, se nuk po bëntë shitblerje votash siç dyshonte grupi i armatosur i PD. Edhe policia  dhe prokuroria konfirmuan më pas se në atë Mercedes ML nuk u gjet asgjë e dyshimtë. I friksuar se mos vritej, i ndaluari ka marrë në telefon shokët e tij mes të cilëve edhe Pjerin Xhuvanin, i mbetur i vrarë nga të shtënat që pasuan. Sipas hetimeve Xhuvani ishte i paarmatosur. 

Prokuroria tani po përpiqet të rindërtojë bashkë me policinë të gjithë hierarkinë e grupit të armatosur të ndërtuar nga PD dhe të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës” (SMV) e përbërë nga ish policë të forcave speciale dhe ish ushtarakë, si 10 të arrestuarit në Elbasan. Për të zbuluar rrjetin e përgjegjësive, hetuesit kanë në dorë 11 celularët e sekuestruar grupit të armatosur përfshi atë të Arjan Hoxhës, që duket të jetë kreu i strukturës paraushtarake të Elbasanit dhe që ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Gazmend Bardhin. Arjan Hoxha, i njohur nga publiku televiziv si “analist” pjesëmarrës në shumë debate si ekspert i sigurisë, është rreshtuar gjithmonë kundër Policisë së Shtetit, gjatë qeverisë së tranzicionit në 2017 ku Gazmend Bardhi ishte ministër i drejtësisë, ishte emëruar drejtor burgjesh. 

Pikërisht nga telefonatat e bëra nga komponentët e grupit të armatosur dhe mesazhet e shkëmbyera dhe videot e regjistruara në 11 celularët, prokuroria synon të zbulojë se kush janë drejtuesit e vërtetë të kësaj bande të armatosur të akuzuar përveç vrasjes, edhe për sekuestrim të qytetarëve të zakonshëm, të ndaluar në rrugë vetëm se konsideroheshin kundërshtarë politikë të PD.