Prokuroria nis hetimet për lejet e ndërtimit dhe kolaudimet e pallateve që u copëtuan nga tërmeti

30 Nëntor 2019, 12:08 | Përditesimi i fundit: 2019-11-30 14:19:24

TIRANE- Dy prokuroritë e rretheve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës dhe Krujë, kanë vendosur të nisin veprimet hetimore për të nxjerë shkaqet dhe njerëzit përgjegjës, për ndërtimet e dobëta të ndërtuara në Krujë dhe Durrës. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga dy prokuroritë respektive, ku në këtë çështje veprimet e para në teren dhe administrimin e dokumentacionit, po e kryer policia e Durrësit.  “…qëllimi i këtij hetimi është për të parë nivelin e ndërtimit, respektimin e planit fillestar të projektit të objektit.Respektimi i cilësisë së ndërtimeve duke filluar nga trashësia e kolonave dhe mureve mbushës. Njëherësh në planin e këtij hetimi, do të analizohen lejet e miratuara nga bashkitë apo komunat, nëse janë miratuar sipas kritereve urbanistike dhe nëse këto leje kanë qënë ok, si janë zbatuar ato në teren gjatë ndërtimit të objektit. Është një hetim i gjërë, teknik dhe që do kohën e vet për të dalë në konkluzjone, pasi do verifikohen dhe vërtetësia e akteve kolauduese të këtyre objekteve,sepse kemi dyshime të forta se këto akte janë të falsifikuara…”-tha një prokuror i rrethit të Durrësit.

Më tej në fokus të hetimit do jetë dhe verifikimi në teren i kateve shtesë, duke shkelur kështu jo vetëm kriteret e lartësisë të miratuara në bashki, por edhe duke falsifikuar projektin dhe aktin kolaudues përfundimtar të banesës. Këto që po shihni në foto, janë dy themele (plinda) të ndërtit të një banese private. Shikoni me vëmëndje se çfarë lartësie, gjerësie dhe ngushtimi kanë këto themele ndërtimi. Mbi këto themele ngrihet 1 kat,pastaj dy e derisa shkon ne 4 dhe 5-se. Foto tjeter satelitore tregon si u rrit në vite hotel “Mira Mare” në Durrës. Kjo tragjedi natyrore, duhet të sjellë revulucion në ndërtim dhe ti jepet fund këtyre themeleve.

Nga ana tjetër prokuroria dhe komisariati i Krujës, ka nisur sot në mëngjes verifikimet për rrëzimin e pallatit në Thumanë, ku do shikohet dhe analizohet të gjitha rastet e denoncimeve të mëparshme, për gjëndjen e mjerueshme të ndërtimit të tre pallateve të shembura në zonën e Thumanës. Të tre pallatet e dëmtuara rëndë në Thumanë, ku dhe humbën jetën rreth 12 persona dhe u plagosën shumë të tjerë, ishin ndërtuar me punë vullnetarë gjatë sistemit komunist. Për tre objektet, qysh prej vitit 2010 e deri në shtator 2019 janë dërguar në Shtabin e Emergjencave Civile, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, sinjale që raportonin rrezikun e shembjes së këtyre objekteve nga përmbytja dhe tërmeti, por askush nuk ka reaguar për parandalimin e situatës.