Promovohet libri 'Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet', Përzhita: Këtë vit në Shqipëri, 28 ekspedita arkeologjike

8 Prill 2019, 17:24

U promovua vëllimi i gjashtë i librit “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”. Libër ky, për të cilën janë kujdesur profesori francez i Universitetit të Lyon 2 Lumiere, Jean Luc Lamboley dhe drejtori i institutit të Arkeologjisë në Tiranë, Luan Përzhita. Kjo traditë e nisur, që në vitin 1984 ka bërë bashkë studiues nga Shqipëria, Franca, Italia, Greqia dhe Kosova, të cilët në 1200 faqe sjellin të gjitha të rejat, nga periudha prehistorike, antike edhe ato mesjetare.

 “Jam shumë i lumtur, që vij në këtë ceremoni të thjeshtë, që sjell përfundimin e punës sonë. Prej disa vitesh ka nisur kjo punë, prandaj ky libër është si lindja e një fëmije. Është konferenca e VI, “Iliria e Jugut edhe Epirit në Antikitet” që për herë të parë bëhet në Shqipëri. Është e vetmja konferencë ndërkombëtare që përmbledh të gjitha vendet ballkanike. Kjo konferencë është zhvilluar pesë herë në Francë. Duhet që kjo eksperiencë të vazhdojë, prandaj jam shumë i lumtur, që u zhvillua në Ballkan edhe në Shqipëri”, shprehet profesor Jean Luc Lamboley, editor i librit dhe përfaqësues i Universitetit Lyon 2 Lumiere në Francë. 

35 kumtesa vijnë si kontribut i arkeologëve shqiptarë, të cilët kanë bërë kërkime gjatë viteve të fundit në të gjithë territorin shqiptar. Por, për herë të parë pjesë e tij bëhen edhe studiuesit nga Kosova

“Në fakt, në aktet e botuara të aktit të VI ka shumë risi brenda tij. Së pari, ky botim kap një diapazon më të gjerë të periudha prehistorike, antike edhe ato mesjetare. Nëse më parë, deri tek botimi i pestë ka pasur më pak përfshirje, tani është më i zgjeruar. Janë 35 kumtesa që vijnë si kontribut i arkeologëve shqiptarë, që punojnë në territorin shqiptar. Në këtë botim vijnë disa problematika, duke qenë se vet Iliria e Jugut edhe Epiri, duke u përfshirë në Ballkan edhe duke qenë edhe pjesë e Mesdheut ndërthur edhe materiale që vijnë nga kolegë nga Italia, Franca, por edhe nga Greqia, që kanë dhënë edhe të dhënat e fundit, që lidhen me territorin e tyre. Është një studim, që është tepër i thelluar edhe që lidhet edhe me provincën Dardane edhe nga popullsia shqiptare në territorin e Kosovës. Ky botim që tani është shumë i kërkuar nga shumë biblioteka të ndryshme të Evropës”, thotë Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë.

Kërkimet në territorin tonë kanë të bëjnë me prehistorinë, që lidhen me periudhën Ilire apo edhe me periudhën paleobizantine.

“Lidhet me rrugët e vjetra, që lidhnin territorin e hershëm Ilir me provinca të tjera të Evropës. Kemi një korpus shumë interesant, që ndërthuren shumë disiplina të antikitetit në territorin shqiptar. Të gjitha kërkimet përfshihen në këtë botim, që kanë qenë në Butrint, Bylis, Shkodër apo kërkime të tjera në Drisht, Koman edhe shumë teza të tjera”, shton Përzhita.

Instituti i Arkeologjisë këtë vit do të ketë 28 ekspedita arkeologjike në mbarë vendin.

“Pas një jave arkeologët dalin në terren dhe do të nis puna në Veri të Shqipërisë edhe në pjesën qendrore, në disa punime në Apoloni. Janë rreth 28 ekspedita përreth këtij viti”, thotë Përzhita.

Ndërsa, pritet që gjatë muajit qershor të vihet në punë edhe laboratori për restaurim edhe konservim të gjetjeve arkeologjike.