Promovohet libri, “Italianët si emigrantë”, si t’ia dalësh në një vend të huaj

24 Tetor 2019, 12:36

Lorenzo Colantoni dhe  Riccardo Venturi, një gazetar dhe një fotoreporter italianë 5 vite më parë u bashkuan për një diskutim për emigrimin në botë. Mirëpo, duke hulumtuar të dhënat kuptuan se fenomeni i popujve emigratorë nuk përjashtonte as vendin e tyre. Vetëm në 2014-ën numri i italianëve që janë larguar prej vendit, ka qenë më i madh se personat që kanë hyrë.  Qe ky shkaku që i shtyu në vitin 2015 drejt “Italianëve të lindjes”, librit që u promovua dje në kuadër të edicionit 19 të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, Ambasada e Italisë, në Universitetin “Zoja Jonë e Këshillit të Mirë”. “Italianët e lindjes” është një botim ku ndërthuren në mënyrë harmonike  imazhet me historitë, ato të së kaluarës e së tashmes. Një libër që në fakt është pjesë e një projekti shumë më të madh që quhet  “Italianë të Evropës” . Një projekt që konsiston në 4 libra, 4 ëeb dokumentare dhe 2 reportazhe të gjatë në revistën “National Geographic”.

“Që të punojnë krahë për krahë një gazetar dhe një fotograf nuk është gjithmonë e lehtë, sepse ka interesa dhe këndvështrime të ndryshme. Ky projekt përbëhet nga disa fragmente të ndryshme: Është një rrëfim për emigrimin, rrëfim i një komuniteti, rrëfim i Evropës të asaj të kaluarës dhe të tashmes”, shprehet gazetari, i cili është edhe një nga autorët e librit Lorenzo Colantoni.

Edhe për Riccardo Venturi-n, fotoreporter dhe autorin e librit ky projekt për mua paraqet një sfidë të shumëfishtë.

“Unë jam një fotoreporter që jam marrë edhe me tema sociale shumë të forta e dramatike në vende të ndryshme të botës, kështu që prej vitesh jam marrë dhe me emigracionin. Këto lëvizje të popujve unë i kam parë si italian. Kështu që sfida e parë ishte të pyesja veten rreth identitetit tonë. Kam përfshirë foto të së kaluarës që italianët mbajnë në sirtarë i kam rifotografuar duke u dhënë jetë, një këndvështrim të ri”.

Zv. ministrja për Punët e Jashtme edhe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Marina Sereni e konsideroi këtë projekt interesantë, sepse trajton historitë e italianëve nëpër botë, por edhe sepse është një mënyrë e mirë për të reflektuar mbi emigracionin, si eksperiencë.