Promovohet libri “Ky është Dritëroi im”, artistët: Kishte dashuri për çdo gjë, për njerëzit dhe tokën!

4 Maj 2020, 15:15

Në rrëfimin e fundit për kamerën e “ReporTV, një vit më parë Sadije Agolli, bashkëshortja, lexuesja e parë, redaktorja edhe shoqja besnike e ditëve të vështira e Dritëro Agollit,  tregoi për punën që ishte duke bërë për botimin e një libri me kujtime. Në këto ditë libri me kujtime nga miq, kolegë edhe të njohur gjatë karrierës letrare të Agollit ka marrë jetë, nën titullin, “Ky është Dritëroi im”. Në një promovim modest në Bibliotekën e Paqes Globale artistët Bujar Asqeriu dhe Kilt Roshi rrëfyen njohjen e tyre me shkrimtarin, jo vetëm në letërsi, por edhe si skenarist në kinematografi.

“Kam pas fatin që ta takoj nga afër, ti jap dorën edhe të përqafohem me të. Në një aktivitet i kisha dhuruar një kasetë me poezi të Ali Asllanit. Prej tij pashë, se të mëdhenjtë flasin mirë për të mëdhenjtë. Dritëroi kishte dashuri për njerëzit, për tokën, për çdo gjë, edhe gjatë gjithë krijimtarisë së tij, përcolli këtë dashuri, prandaj edhe njerëzit i ishin mirënjohës”, tregon aktori Bujar Asqeriu, i cili ka luajt në filmin me skenar të Agollit, “Njeriu i mirë” rolin e Telos.