Promovohet libri/ Tefta Radi: Mendimi i Frankos, busull orientimi për mua

27 Shtator 2019, 17:03

“Dënimin tim në Fushë-Arrës e kalova me një fjali. Nuk dëshiroja që në shpirtin dhe zemrën e pastër të fëmijëve të mi  të mblidhja hijen e mllefit, që dalëngadalë mund të kultivohej e mund të shndërrohej nesër në një ves të dëmshëm, por edhe aq ves i mburrjes… Mbolla tek ata vetëm dashurinë njerëzore...” Këto janë disa nga fjalët e kantautorit të njohur Françesk Radi, të cilat dy vite pas ndarjes së tij nga jeta, vijnë të botuara në librin “Françesk Radi jetë në kitarë” me autorë bashkëshorten e tij, njeriun e zemrës, gazetaren e njohur Tefa Radi dhe shkrimtarin Demir Gjergji. Të pranishëm në këtë veprimtari për të nderuar kantautorin e njohur të muzikës së lehtë shqiptare ishin familjarët, kolegët edhe miqtë e një jete. Bashkëshortja e tij, Tefta Radi, mes lotëve edhe zërit që dridhet ndalet tek rëndësia e botimit të këtij libri, për artistët edhe brezat e rinj.

 “Ishte kënaqësi për mua, që kaq miq edhe personalitete të fushës së artit që u mblodhën në këtë tavolinë për të shprehur respektin për Frankon. Libri “Françesk Radi jetë në kitarë”, them se është një risi në fushën e botimeve edhe sjellë të gjithë vitet artistike edhe sociale. I kalon përmasat ë një biografie të personazhit Franko, sjell rininë e kohës, shoqërinë edhe gjithçka të bukur ashtu siç ishte, pa mllefe, sepse ashtu ishte Franko. Është meritë e tij qw wshtw shkruar në perfeksion. Mendimi i tij pwr mua, ishte një busull në gjithçka. Më mungon shumë!”.

 

 

 

Edhe bashkautori i këtij botimi, shkrimtari dhe gazetari Demir Gjergji teksa e cilëson librin të rëndësishëm, sepse flet jo vetëm për krijimtarinë e pasur edhe personalitetin e Françkes Radit, por edhe sepse flet për jetën e një artisti në kohë të vështira

“Është një nga librat më të rëndësishëm te jetës sime, që më ka vënë para një pozicioni që në fillim e kisha të vështirë që ta bëja. “Jetë në kitarë”, që në fillim doja që ta titulloja “Adresat” e Frankos, ia vlen që të lexohet, sepse flet për jetën e një artisti në kohë të vështira, jetën e një shoqërie edhe të një fisi, të Radëve”, shprehet Gjergji.

Kantautori Françesk Radi u shua para dy vitesh nga jeta, në moshën 67-vjeçare.  Disa nga këngët më të njohura që kanë mbetur gjatë në kujtesën e njerëzve janë; “Adresa”, “Zemër e lodhur” apo edhe “Telefonatë zemrash”.