Protesta antiqeveritare në Venezuelë, mbi 14 të vdekur

24 Janar 2019, 14:19

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka prezantuar këtë të mërkurë kreun e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, si presidentin e përkohshëm të Venezuelës.

“Qytetarët e Venezuelës kanë vuajtur për një kohë të gjatë në duart e regjimit të paligjshëm të Maduro. Sot, unë kam njohur zyrtarisht Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, si President i Përkohshëm i Venezuelës”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.

Kjo njohje përkthehet fare mirë si një lëvizje strategjike nga ana e presidentit amerikan për të rritur presionin ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro, pasi ai është shprehur në një deklaratë se do të përdorte plotësisht peshën e fuqisë ekonomike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara në favor të rivendosjes së demokracisë venezueliane.

Donald Trump inkurajoi qeveritë e tjera në hemisferën perëndimore që edhe ato ta njohin Juan Guaidon si presidentin e përkohshëm të Venezuelës. Në vazhdën e kësaj atmosfere, mijëra protestues antiqeveritarë demonstruan në rrugët e Karakasit për rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro. Ndërsa protestuesit hidhnin objekte dhe thërrisnin “Maduro ik”, policia bllokoi shumë rrugë dhe ura. Pas përplasjeve protestues-polici është raportuar për 14 persona të vdekur.

Pas rizgjedhjes së tij vitin e kaluar, që u konsiderua gjerësisht e paligjshme, presidenti Maduro po përballet konkretisht me kritika globale në rritje. Ndërkohë, opozita beson se shanset e saj për të detyruar Maduron të japë dorëheqjen janë përmirësuar për shkak të krizës ekonomike të vendit dhe pozitës gjithnjë e më të izoluar të Venezuelës në skenën botërore.