TIRANË-Banorët e unazës së re, banesat e të cilëve preken nga projekti dhe janë planifikuar për t’u shembur kanë protestuar sërish pasditen e sotme duke bllokuar rrugën. Prej orës 17:00 unaza vijon që të jetë e bllokuar, ndërsa banorët po djegin goma në shenjë proteste kundër vendimit. Ata kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë dhe bashkisë, ndërsa paralajmërojnë se protesta do të vijojë me përshkallëzim deri në tërheqjen e projektit që prish banesat e tyre.
Në mbështetje të tyre ka qenë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të opozitës. Lideri i PD u shpreh se kjo është vija e kuqe dhe qytetarët kanë të drejtë që të mbrojnë me cdo formë banesat e tyre. Sipas Bashës, ligji përcakton dëmshpërblimin e pronarëve të banesave që preken edhe kur janë në proces legalizimi, ndërsa shtoi se tenderi është korruptiv.
Projekti është i paligjshëm. Tenderi 40 milionë euro është bërë pa konkurrencë. Në kulmin e kësaj paligjshmërie, bashkia duhet të dilte dhe të mos e pranonte këtë projekt. Ka në krye një fundërrinë që sulmon qytetarët me shprehje raciste, që tregojnë se e ka shpirtin më të zi se plehrat e Sharrës. Propozimi është fantazmë, i projektuar në kushte anti ligjore dhe i tenderuar në mënyrë korruptive. Unaza ka të tjera prioritete. Kam dy vendime të këshillit të ministrave të 2011 dhe 12, i pari përcakton një precedent ligjor ku vendos që; ata që janë në proces legalizimi do të kompensohen në vlerën e tregut. Zbatimi i ligjit nuk lë rrugë tjetër përveç se vlerësimit dhe dëmshpërblimit para se të lëvizë edhe lopata e parë, cdo gjë tjetër është e paligjshme. Për Teatrin ju thashë se është vijë e kuqe, dhe thashë po u prish në këtë mënyrë nesër do të prishen edhe shtëpitë e shqiptarëve. Kjo është dy herë vijë e kuqe për partinë Demokratike. Qytetarëve u lind e drejta të mbrojnë banesat me cdo formë dhe PD është në krah të tyre.
Lulzim Basha
Për projektin e unazës së re parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen, 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës. Prishja e ndërtesave të banimit ka shkaktuar reagime nga banorët e zonës.
Banesat në "Unazën e Re" janë ndërtuar pas viteve '90 dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk janë të legalizuara. E ndërsa protesta vijon prej 11 ditësh qytetarët në Tiranë ndajnë mendime të kundërta për këtë situatë, pasi disa mbështesin banorët, ndërsa të tjerë e cilësojnë të domosdoshme për ndërtimin e unazës së re. Kryetari i bashkisë së Tiranës deklaroi dje se shanset që projekti të ndalohet janë zero.