Protesta e dhunshme në Tiranë, arrestohen 59 protestues, nën hetim 116 persona të tjerë!

11 Dhjetor 2020, 17:43

Nga protestat e dhunshme që përfshinë Tiranë ditën e djeshme për vrasjen e Klodjan Rashës, policia ka arrestuar 59 persona ndërsa nën hetim janë 116 persona të tjerë. Këta persona akuzohen se organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën punonjësit e Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private.Pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth 3 orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, tek Tajvani, në ish-Bllok, tek 21-shi, në hyrjen e Rrugës së Elbasanit, Banka e Shqipërisë, ndaj selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Financave, në shumë biznese private e më gjerë. Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policinë Nr. 2. Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugë, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i pjesëmarrjes së të miturve në protestë është munduar të parandalojë përshkallëzimin e tubimit. Policia e Shtetit apelon për prindërit që të mos lejojnë minorenët të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi pjesëmarrja vetëm i rrezikon.