Për herë të parë një protestë paqësore. Protesta e gjashtë kombëtare e opozitës joparlamentare kundër qeverisë, u mbajt ndryshe nga të tjerat. E nisur në orën 19:00 me mbledhjen e simpatizantëve para kryeministrisë, protesta kulmoi me një fjalim të liderit demokrat Lulzim Basha para godinës së kryeministrit Rama rreth orës 20:00. Pati vendosmëri nga ana e tij se nuk do të ketë asnjë hap drejt zgjidhjes politike të krizës, nëse kreu i qeverisë nuk largohet nga pushteti. Basha përmendi sërish qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakoshhme.
Një ndryshim të dukshëm nga protestat e tjera që kanë shpërthyer në dhunë, e bëri edhe vetë Lulzim Basha, teksa tashmë e quajti një miting.
Më tej pati një marshim drejt Parlamentit të Shqipërisë, ku u shënua një incident i vogël, të cilën u mundua ta shuajë shumë shpejt sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi pas thirrjes së policisë për qetësië.
Tubimi u mbyll në 21:30, pas dy orë e gjysmë, me një fjalim të liderit demokrat Lulzim Basha në selinë blu. Ndërsa më tej në një fjalim me ish-deputetët në seli, u vendos që protesta e radhës të jetë më 31 maj, ditën kur nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, garë të cilën opozita joparlamentare e ka bojkotuar dhe deklaron se nuk do të lejojë që këto zgjedhje të zhvillohen.
Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bëri thirrje për të mos pasur akte dhunë në protestë, pasi këto veprime nuk do të ishin gjë tjetër, veçsë pikë për Edi Rama. Ajo tha se dialogun Rama duhet ta zhvillojë me popullin dhe për këtë duhet të qëndrojë në kryeministri kur poshtë zyrës së tij protestohet.