Protesta e studentëve, Basha: E mbështesim me të gjitha mënyrat

17 Dhjetor 2018, 13:29

Kryetari i PD, Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar paraditen e sotme ka deklaruar se forca që drejton mbështet me të gjitha format dhe mënyrat protestën e studentëve.

“Sot është protesta e studentëve, ne e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat, jemi atje, njerëzit tanë i mbështesin me të gjitha format dhe mënyrat. Jam i vetëdijshëm, kundërshtari po mundohet ta instrumentalizojë. Ata kanë një kërkesë të thjeshtë për plotësimin e tetë kërkesave” tha ai.

Lideri i PD, lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit për blerje të mediave dhe korrupsion te Unaza e Re dhe ligji i arsimit të lartë. “Kjo është një protestë kundër një ligji korrptiv për arsimin e lartë. Sa më heq është Rama, aq më shumë tendera fitojnë pronarët e mediave, pasi i ka blerë.

Ne jemi kundër ligjit për arsimin e lartë. Ne nuk e çuam ligjin në Kushtetuese, pasi gjykata ishte e kapur nga Rama. Rama po përdor propagandën dhe përçarjen”tha Basha. I pyetur nëse PD do të rikthehet në Kuvend ditën e enjten në seancë plenare, Basha sqaroi se “Pasi të kemi marrë një vendim me aleatët, do t’u themi kur do të rikthehemi në parlament” tha ai.

Këtë javë do të zhvillohen dy seanca, e para të enjten ku pritet që të rrëzohet dekreti i Metës për buxhetin dhe e dyta të premten, ku shumica do të rrëzojë draftin e PD për vettingun në politikë.

Në seancën e kaluar në datë 13 dhjetor, dhjetë deputetë të opozitës, pesë nga PD dhe pesë nga LSI, thyen bojkotin e Kuvendit, duke marrë pjesë në seancën e sotme plenare, pas pesë muajsh mungesë, pasi rrezikonin mandatet