Kushi: Universitetet s'janë mbyllur, mësim online vetëm 1 muaj! Mësuesit janë paguar për orët shtesë

5 Nëntor 2020, 14:42 | Përditesimi i fundit: 2020-11-05 17:28:43

TIRANË- Në vazhdën e protestave të studentëve, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka theksuar për Report Tv se universitetet nuk janë mbyllur, por do të bëjnë mësim online për të paktën një muaj, duke lënë të kuptuar se mësimi mund të nisë në auditore në muajin dhjetor, gjithmonë nëse nuk ka një përkeqësim të situatës së pandemisë.

"Vendimi u mor vetëm për një muaj, dhe nuk duhet ta quajmë sikur u mbyllën universitetet, por vetëm për një periudhë pikërisht për të mos përhapur infeksionin.  I mirëkuptoj që duan të jenë në auditore, por situatë është e tillë, rreziku është shumë i lartë dhe duhet të tregojnë durim", sqaroi Kushi. Në të njëjtën linjë është marrë vendimi edhe për mbylljen e konvikteve. Nisur nga fakti se studentët lëvizin për të takuar prindërit, Kushi tha se kjo të sille një zgjerim të hartës së të prekurve, e për pasojë u mbyllën, por pagesat e bëra për nëntor do të shtyhen për dhjetorin.

Kushi zgjodhi që të mos fliste me shifra sa i përket numrit të mësuesve dhe nxënësve të prekur me COVID-19, duke e argumentuar se është një bilanc i cili ndryshon herë pas herë, por tha se janë në dispozicion 1000 mësues shtesë. Ndalur këtu, Kushi tha se të gjithë mësuesit janë paguar për orët shtesë, madje se ky ka qenë vendi i saj i parë sapo ka marrë detyrën në krye të Ministrisë.

"Nga 1760 shkolla, 1100 shkolla e zhvillojnë vetëm me një turn. Turnet 2-3 apo katër kemi për ata nxënës që vijnë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti, që detyrohen të shkojnë në shkollat pritëse dhe ne u subvencionojmë pagesën e transportit. Të gjithë mësuesit që zhvillojnë mësim me disa turne, po paguhen të gjithë mësuesit. Madje ka qenë vendimi im i parë sapo kam ardhur", tha Kushi.

Nuk përjashtohet skenari për të rikthyer online edhe parashkollorin dhe për këtë Kushi tha se janë marrë masa.