Protesta 'kyç' bizneset: Po na dëmtojmë ekonomikisht, kemi frikë! Qytetarët duan dialog

26 Maj 2019, 12:29

Protestat e dhunshme të Opozitës, po dëmtojnë bizneset përreth zonave ku zhvillohet. Të pyetur nga Report Tv pronarët e këtyre subjekteve kanë pohuar se janë detyruar të mbyllin bizneset në oraret që zhvillohet protesta.

Edhe në protestën e gjashtë të opozitës kundër qeverisë, këto biznese ulën qepenat, duke sjellë për pronarët kosto financiare.

Jashtë kamerave, pronarët e bizneseve hezitonin të prononcoheshin nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm nga ana e protestuesve, mbështetës të opozitës.

Por edhe qytetarët e thjeshtë, shprehen të bezdisur nga këto protesta. Ndonëse nuk janë kundër protestës në thelb, ata janë shprehur kundër akteve të dhunës, duke i konsideruar të papranueshme dhe në dëm të vendit.

Protestat e Opozitës kanë ndikuar edhe në sektorin turistik. Vihet re një numër i shtuar i turistëve, kryesisht të huaj të cilët kanë anuluar rezervimet e tyre si pasojë e pasigurisë dhe frikës që shkaktojnë këto protesta të dhunshme. Sot në orën 19:00, opozita do të zhvillojë protestën e saj të 6 kombëtare e cila do të nisë përpara godinës së kryeministrisë.