TIRANE - Kryeministri Edi Rama ka nisur dialogun me studentët dhe pedagogët. Takimin e parë kreu i qeverisë e ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne më studentë dhe pedagogë të Fakultetit Gjeologji-Miniera të Universitetit të Tiranës. Takimi i Ramës u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa detajet i bëri të ditura vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale. Shefi i ekzekutivit shprehet se ka pasur një bashkëbisedim dobiprurës me studentët dhe pedagogët e Gjeologjikut, ndërsa ka paralajmëruar takime edhe ditën e nesërme me pedagogë dhe studentë të fakulteteve të tjera.
Faleminderit për mikpritjen grupit të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologjikut, me të cilët patëm një bashkëbisedim të dobishëm për Dialogun (e në fakt zhvilluam vetë Dialogun). Mësova gjëra të reja prej tyre, mbase edhe ata e kuptuan mirë se ku e kam hallin unë. Nesër vazhdojmë.
Edi Rama, kryeministër
Por kryeministri nuk u ndal me kaq. Rreth orës 22:50 ERTV nisi transmetimin në Facebook të bashkëbisedimit të Ramës me pedagogët dhe studentët e Fakultetit Filologjik. Në fjalën e tij, Rama tha se tetë kërkesat e studentëve do të realizohen, por ai kërkoi dialog të vazhdueshëm. Duke u ndalur te një prej pikave, ajo për rritjen me 5% të GDP-së së buxhetit për arsimin, Rama tha se qeveria nuk e çon dot në atë shifër.
"Pasi të ezauroj bisedat me të gjitha universitetet të jemi gati në një kohë të arsyeshme një pakt të qeverisë me universitetin që do përmbajë një analizë të gjendje bazuar nga u nisëm ku jemi, do përmbajë një adresim të çështjeve të përgjithshme jo 8, 12 15, 8 +, pastaj do thotë ulja e tarifave, ja ça do jetë dhe si do bëhet. Karta e studentëve, kemi që me kohë që kemi filluar një negociatë me Francën për të pasur një kartë evropiane studentore është një projekt i be kemi arritur një marrëveshje me Francën në 20 nëntor. T’i japin studentëve një kartë që është e vlefshme këtu dhe në be, që kur del jashtë të përfitojnë njësoj si vendet e be në muze, etj. Kur do bëhet karta? Duhet të diskutojnë dhe në këtë dokument të themi do je këtu kështu do lëvrohet në këtë datë, menjëherë apo me faza do e marrin 10 mijë apo 50 mijë, por kjo ka kosto", tha Rama.
Takimi mes Ramës dhe pedagogëve u zhvillua në ditën e 14-të të protestës së studentëve. Kryeministri ka ofruar për studentët plotësimin e 8 pikave që ata kërkojnë përmes hapjes së një procesi dialogu, ndërkohë që studentët refuzojnë dhe kërkojnë përmbushjen e 8 pikave në distancë.
Ky takim u paralajmërua disa ditë më parë nga Rama në takimin e zhvilluar me rektorë dhe dekanë, ku kryeministri iu tha: Do të shihemi shumë shpejt. Rama u shpreh se ndoshta duket rishikuar autonomia që i është dhënë universiteteve nga ligji i ri i arsimit dhe se pasi protesta të mbarojë për sa kohë ai do të jetë në pushtet, do të jetë protestues për universitetin.