Në një intervistë për të përditshmen italiane “Il fatto quotidiano”, kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.
“Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s”- u shpreh lideri i opozitës.
Pyetjes se çfarë kërkon opozita ekzaktësisht, Basha i përgjigjet: “Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.”