Protestat e dhunshme, apeli i sociologut: T'i mbajmë larg të miturit nga politika! Ata keqpërdoren në fushata

15 Dhjetor 2020, 14:48 | Përditesimi i fundit: 2020-12-15 16:56:51

Për sociologun Gëzim Tushi, përdorimi i të miturve në protestat e dhunshme ndikon negativisht në formimin e karakterit të tyre. I ftuar në Report Tv ai i bën apel prindërve dhe politikanëve që fëmijët e mitur t'i mbajnë sa më larg ndikimit politik.

"Policia në disa momente harron se është një strukturë shtetërore dhe ushtron dhunë ndaj protestuesit. Unë besoj që këto ushtrime force të fëmijëve nuk janë të mira për formimin e tyre qytetare. Unë mendoj që fëmijët t'i largojmë nga protestat, nga politika. Le të shijojnë fëmijërinë e tyre. Të dy palët i kanë përdorur fëmijët për qëndrime politike, si opozita ashtu dhe qeveria për fushata elektorale" - tha Tushi.

Duke folur për pjesëmarrjen e fëmijëve të protestat e dhunshme, Tushi tha se pjesëmarrësit vijnë nga familje të cilët kanë probleme me edukimin e tyre. Ai u shpreh se niveli i prindërimit në Shqipëri është në nivele të ulëta.

"Këtu është fjala për pjesën e ulët të fëmijëve, poshtë 14 vjeç. U përdorën fëmijë që nuk janë të aftë të gjykojnë politikisht. Mua më shqetëson fakti që shumë prindër bëjnë të paditurin që fëmijët e tyre janë në protestë. Kjo tregon që në shoqërinë shqiptare se familja është në nivele shumë të ulëta. Nuk e di se si prind thotë se fëmija ime nuk e dija që ka shkuar në protest. Kjo tregon që niveli i prindërimit të ulët. Kjo tregon se fëmijët ndodhen në një familje që nuk ushtron edukimin e tyre" - tha Tushi.

Tushi shprehet se protestuesit duhet të kuptojnë që policia është e shtetit dhe nuk duhet të dhunohet, si dhe në anën tjetër, edhe policia nuk duhet të kalojë kompetencat e saj duke dhunuar të miturit.