Protestat kundër Lukashenkos në Bjellorusi, një i vrarë dhe qindra të arrestuar

10 Gusht 2020, 17:11 | Përditesimi i fundit: 2020-08-10 17:11:58

BJELLORUSI- Një person mbeti i vdekur, dhjetëra u plagosën, dhe më shumë se 100 protestues u arrestuan të dielën në mbrëmje dhe herët të hënën në mëngjes, gjatë trazirave në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi.

Forcat e sigurisë u përleshën me mbështetësit e opozitës, të cilët nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan nga presidenti aktual, Alyaksandr Lukashenko. Të hënën, Komisioni Zgjedhor në Bjellorusi shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se presidenti aktual Lukashenko ka fituar 80.23%, ndërsa rivalja e tij, Svyatlana Tsikhanouskaya, 9.9 % të votave.