Protestat për vdekjen e Floyd, Trump: Do nxjerr ushtrinë në rrugë! Në New York plaçkitet Manhattan

2 Qershor 2020, 14:18

Presidenti Amerikan Donald Trump do mobilizojë ushtrinë dhe të gjitha burimet e mundshme federale kundër protestuesve për të zgjidhur shpejt problemin e protestave për vdekjen e George Floyd, afrikano-amerikan i vrarë nga një oficer policie në Minneapolis.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump u kërkoi me forcë guvernatorëve të shteteve që të marrin kontrollin e rrugëve duke mobilizuar Gardën Kombëtare, përndryshe, siç ai paralajmëroi, “do të nxjerrë në rrugë ushtrinë. Ai nuk i ka kursyer sulmet ndaj guvernatorëve teksa iu drejtua atyre me fjalët, "Ose merrni situatën ose do dukeni idiotë nëse nuk arrestoni demonstruesit dhe ti lini ata në burg për një periudhë të gjatë kohe.

Trump tha se “ushtria do të ndërhyjë shpejt dhe në mënyrë vendimtare edhe në Washington DC".

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, ka paralajmëruar gjithashtu se "Ata që kërcënojnë jetët e pafajshme dhe pronën private do të arrestohen, burgosen dhe ndiqen penalisht ... “Organizatorët e terrorit, anarkistët, grabitësit, kriminelët, rebelët dhe pjestarët e organizatës ANTIFA - tha Trump- do të përballen me dënime të rënda kriminale dhe dënime të gjata me burg."

Presidenti gjithashtu pas deklaratës në Shtëpinë e Bardhë, shkoi në këmbë në kishën e afërt Shën Gjon Episkopal, e cila u dëmtua gjatë protestave dhe me bibël në dorë u betua se do të vendosë rregullin.