Protestat/ Rama: Akt i Metës e Berishës! Basha lider pa karakter, s'ka lidhje me dhunën! Edhe 500 mijë njerëz ta kërkojnë largimin e Veliut, s'ndodh

15 Dhjetor 2020, 15:39

TIRANË- Protestat e dhunshme të ndodhura gjatë 6 ditëve të fundit në emër të Klodjan Rashës, për kryeministrin Edi Rama janë akt i pastër i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Kryedemokratin Lulzim Basha e përjashton, por quan "lider pa karakter" pasi nuk bëri thirrje kundër dhunës. Këto protesta, numri një i qeverisë tha se nuk janë kurrsesi një zemëratë ndaj qeverisë, por keqpërdorje e të rinjve nga Berisha e Meta, madje duke i krahasuar me organizatën terroriste të "Boko Haram".

Largimin e Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu, një kerkëse kjo e artikuluar së fundmi nga protestuesit, Rama ua bën të qartë që një gjë e tillë nuk ndodh, as "sikur në shesh të dalin 500 mijë vetë e ta kërkojnë". Ai theksoi se nuk vendoset "në rrugë se kush ikën e kush rri, por vendoset në bazë të drejtës", dhe e drejta në këtë rast për të nuk është largimi i Veliut.Për një gjë është i sigurt Rama, që dhunë nga ana e policisë nuk ka pasur në tërësi në 6 protestat e fundit, por vetëm nga ana e të miturve që sipas tij përdoren nga Berisha e Meta. Madje, ai sjell në vëmendje protestën e natës së parë, ku tha se Policia është "përdhunuar, e jo dhunuar", por thotë se për këtë e kanë lënë qëllimisht pasi ndiheshin në faj për aktin e kryer nga një nga kolegët e tij.