Protestë dhe tension në Mat/ Banorët ngujohen te burimi i ujit: Të pezullohet ndërtimi i HEC-it

26 Tetor 2019, 21:49

MAT-Banorët e katër fshatrave të Njësive Administrative në Derjan dhe Macukull janë ngritur për të gjashtën herë këtë të shtunë në protestë për të kundërshtuar ngritjen e HEC-it në Zallë Gjoçaj, ndërsa ka pasur edhe momente tensioni dhe shtyrje me policinë. Banorët kanë ngritur çadrat pranë burimit të ujit duke u ngujuar, ndërsa thonë se do të qëndrojnë deri në ndërprerjen e punimeve ose në të kundërt kërkojnë nga shteti t’i shpërngulë nga fshati.  Sipas banorëve protestues punimet e HEC-it po prishin varrezat e fshatit dhe kanë hyrë në zonën e mbrojtur të Lurës duke shkatërruar atë. Protestuesit deklarojnë se që kur kanë nisur punimet e HEC i janë drejtuar instancave shtetërore përgjegjëse dhe ambasadave për pezullimin e këtyre punimeve, por asnjë masë nuk është marrë për mos shkatërrimin e kësaj pasurie natyrore.

"Ju jeni pushtues, largohuni, për ne je pushtues. Largoni makineritë. Policia mbrapsht!" tha njëri prej banorëve. Ndërsa një tjetër banor shprehet se vetëm të vdekur mund të dalin nga burimi ku janë ngujuar. "Ikni nga vendi jonë, ky është vendi jonë. Do të mbrojmë ujin, jetën, këta po grabisin, këta janë hajdutë uju. Mjeshtra të vjedhjes së ujit, do të vendosim çadra do të rrimë këtu, ne vetë të vdekur do të dalim prej këtu. Ne jemi autoktonë, pimë këtë ujë që marrin këta, nuk kemi burim tjetër, po mbrojmë jetën, ujin të ardhmen e fëmijëve tanë. Policia të mos mbrojë krimin dhe mafien. Kjo është zonë e mbrojtur, janë në shkelje flagrante të ligjit. Kemi protestuar që në muajin e parë, shteti është lajmëruar, jemi në proces gjyqësor me firmën. Kemi bërë padi. Lajmëruam edhe Presidentin, kryeministrin, ministritë dhe të gjithë, janë të gjithë bashkëpunëtorë të vjedhjes së ujit nga kryeministri te fshatari, ai hallexhiu që punon për 200 mijë lekë. Këtu shteti duhet të promovojë turizmin".