Protestuesit dhe ish-deputeti Balliu shtyrje me policinë

3 Prill 2019, 10:22

Opozita ka nisur protestën e saj të tetë përmes së cilës kërkon largimin e qeverisë Rama, ndërkohë që Kuvendi sot mban seancë plenare.

Deri më tani janë organizuar shtatë protesta nga opozita, ndër të cilat dy janë zhvilluar pëpara Kryeministrisë, ndërkohë që pesë të tjera përpara Kuvendit.

Në seancën plenare të ditës së sotme pritet që të betohen tre deputetë të opozitës së re, Korab Litja dhe Halil Jakimi nga PD, të cilët dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, dhe Ambra Borova nga LSI Shkodër e cila mungoi në seancën e betimit të javës së kaluar për shkak se ishte bërë nënë pak ditë më parë. Bashkë me deputetët që do të betohen sot, Kuvendi pritet të shkojë në 101 deputetë.

Në protestën e sotme mungon Lulzim Basha i cili ndodhet në Gjermani në takime me përfaqësues të CDU-së. Ndërkohë tek Ministria e Brendshme, ish-deputeti Klevis Balliu dhe një grup përfaqësuesisht kanë nisur përplasjet e para në tentativa për të kapëcyer perimetrin e sigurisë me forca policie.