PROVA se Belle Air dhe 'Fly Ernest' kanë të njëjtët bashkëpronarë! A do të sekuestrohen aksionet për të shlyer borxhet e familjes Xhelo?!

13 Janar 2020, 19:14

TIRANE - Tani nuk kemi të bëjmë vetëm një dyshim: Report TV zbuloi provën se pronarët e kompanisë ajrore “Belle Air”, të cilët mashtruan mijëra shqiptarë në vitin 2013, duke shitur bileta të një shoqërie që po falimentonte, sot janë bashkëpronarët e kompanisë ajrore “Fly Ernest”, e cila prej tri ditësh ka ndërprerë të gjitha fluturimet, duke krijuar panik tek mijëra pasagjerë të tjerë, që kanë një biletë, të cilën nuk mund ta përdorin më. Një skemë identike, që përsëritet pas gjashtë vjetësh. 

Në qendër të skandalit është e njëjta familje Xhelo, e cila në vitin 2005 kishte themeluar “Belle Air” dhe që, pas falimentimit të saj, kontribuoi në vitin 2015 të themelohej “Fly Ernest”, e cila sot prapë rrezikon falimentimin. Prova është në këtë dokument të zbuluar nga redaksia investigative e Report TV.

Kompania ajrore “Ernest spa”, e themeluar në Itali në fund të vitit 2015, ka tetë ortakë, shtatë nga të cilët janë shoqëri ose persona juridikë të regjistruar në Suedi. I vetmi ortak italian është shoqëria “IC srl”, e themeluar në Itali më 23 prill 2015 dhe që kontrollon 10% të aksioneve të “Fly Ernest”.

Ky dokument tregon se shoqëria “IC srl” i përket në masën 50% Elza Xhelos, vajzës së Ilir Xhelos, pronar i “Belle Air”.

Ditën e djeshme Report Tv tregoi një video ku Elza Xhelo fliste sikur të ishte bashkëpronare e “Fly Ernest”: Tani kemi edhe provën se me të vërtetë menaxherja e re është edhe ortake e shoqërisë. Ortaku tjetër i Elza Xhelos në shoqërinë “IC srl” është El Tannir Chady, një italo-egjiptian, që është edhe president i “Ernest spa” (që shohim te kjo foto në Tiranë ditën e parë të fluturimit të “Ernest”). 

Anëtar i këshillit administrativ të kompanisë ''IC srl'' është Arbi Xhelo, vëllai i Elzës, i cili deri në vitin 2013 ishte administratori i “Belle Air”-it bashkë me motrën.

Por lidhjet e familjes Xhelo me shoqërinë “Fly Ernest” nuk mbarojnë këtu.

Në fakt, në krye të shoqërisë ajrore të re del edhe vetë emri i Ilir Xhelos, babai i Arbit dhe Elzës dhe ish-pronar i “Belle Air” bashkë me gruan Suzana. Ndonëse nuk ka dalë asnjëherë në publik, veç në këtë fotografi që e tregon në vitin 2016 pranë avionit të “Fly Ernest” ditën e fluturimit përurues në Tiranë, në të vërtetë Ilir Xhelo ka një rol të dorës së parë në kompaninë e re ajrore.

Sikurse dëshmon ky dokument i siguruar nga redaksia investigative e Report TV, nga 8 shkurti 2018 Ilir Xhelo është drejtori i përgjithshëm i “Ernest spa”. Ai zotëron fuqi shumë të mëdha, që i lejojmë praktikisht administrimin e plotë të kompanisë ajrore, duke përfshirë kontratat, llogaritë bankare, administrimin e të ardhurave që vijnë nga shitja e biletave dhe marrëdhëniet me personelin. Por, ndër funksionet e rëndësishme që i atribuohen Ilir Xhelos, është edhe menaxhimi i marrëdhënieve me institucionet ajrore, italiane apo të huaja. Praktikisht, të paktën në dy vitet e fundit, i ka takuar ish-pronarit të “Belle Air” Ilir Xhelo të mbante lidhjet me Aviacionin Civil shqiptar në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të “Fly Ernest”.

A është e ligjshme që personi, i cili shkaktoi kaos në Shqipëri me falimentimin e papritur dhe të dyshimtë të “Belle Air”-it, të rifillonte punë në Shqipëri në të njëjtin sektor, duke përdorur markën e një kompanie tjetër ajrore? Dhe, a është e ligjshme që, pavarësisht nga falimentimi i “Belle Air”-it, familja Xhelo të ketë dalë sërish e pashqetësuar në tregun ajror shqiptar me një kompani ajrore, e cila për vite me radhë shkaktoi problem për pasagjerët me vonesa të vazhdueshme dhe anulime të fluturimeve dhe në fund mbylli dyert, pikërisht ashtu siç ndodhi edhe më parë? Dhe pse autoritetet e Aviacionit Civil nuk ndërhynë, duke i ditur precedentët e Ilir Xhelos? A i kanë informuar autoritetet italiane mbi historikun e familjes Xhelo, që sot menaxhon “Fly Ernest”?

Por pyetjet nuk mbarojnë këtu.

A e dinë autoritetet gjyqësore dhe tatimore shqiptare, të cilat edhe sot vazhdojnë të ndjekin procedurat falimentare të shoqërisë “Belle Air”, në përpjekje për të siguruar 56 milionë eurot e borxheve të papaguara nga ajo, se familja Xhelo ka transferuar një pjesë të kapitaleve të saj tek shoqëria “Ernest spa”? Vlera e aksioneve që zotëron familja Xhelo në “Fly Ernest”, sikurse tregon ky dokument, është të paktën gjysmë milioni euro: a do të sekuestrohen këto aksione nga gjykata shqiptare për të kontribuar në pagesën e kreditorëve të “Belle Air”?