Provimi i maturës/ Pyetjet vetëm me alternativa, testet korrigjohen në mënyrë elektronike

2 Maj 2020, 20:32

Datat e provime të Maturës Shtetërore nuk do ndryshojnë, por për shkak të pandemisë covid-19, ndryshime do ketë në mënyrën se si do të zhvillohen provimet.

Drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi tregoi për Report Tv se testi do përbëhet vetëm nga pyetje alternative dhe se këtë vit do të zgjasë 2 orë.

"Nuk do të ndryshojë sasia e pikëve do të jenë sërish 60 pikë si vitin e kaluar, por do të ndryshojë natyra e pyetjeve. Në maturën 2019 kemi pasur vetëm 20 pyetje me alternativa, këtë maturë do të kemi 60 pyetje me alternativa. Do të reduktohet pak edhe koha e provimit nga 2 orë e 30 minuta do të jetë 2 orë për të reduktuar sa më shumë ekspozimin e studentëve", tha Vrapi.

Këtë vit në provimet e maturës nuk do të jenë të përfshira temat e zhvilluara nga data 9 mars e në vijim. Testet do të korrigjohen në mënyrë elektronike, pra përmes skanerëve.