PS jo e vetme në zgjedhjet e 30 qershorit, në 15 mars firmoset koalicioni

4 Janar 2019, 14:22

Partia Socialiste, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare ku kërkoi që timonin ta kishte e vetme, do të veprojë ndryshe në zgjedhjet lokale. Ajo do të krijojë sërish Aleancën për Shqipërinë Evropiane, pasi votat e partive të vogla kanë rëndësi specifike në garën e bashkive. Më shumë se sa për fitoren e kryetarit të bashkisë, partitë e vogla janë të nevojshme që e majta të ketë shumicën në këshillat bashkiakë, pa të cilat kryetarët e bashkive janë thuajse të paralizuar në funksionimin e tyre. Riaktivizimi i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, sipas vendimit të Asamblesë së PS të siguruar nga Report TV, do të bëhet 4 takime, nga janari në prill. Takimi i parë do të mbahet në janar, një takim publik ku PS do të diskutojë me aleatët e saj jo parlamentarë ku do të diskutohet Kodi Zgjedhor, programi qeverisës dhe organizimi i përbashkët.

Takimi i dytë i PS dhe partive të vogla do të mbahet në shkurt për punën përgatitore për nënshkrimin e marrëveshjes e cila është parashikuar të nënshkruhet në 15 mars, që shënon dhe takimin e tretë të koalicionit. Gjatë muajit prill do të zhvillohen takime të përbashkëta konsultative në nivel qarku më faktorë të partive të vogla për përcaktimin e kandidatëve për këshillat bashkiakë.

Ndërkohë, paralelisht me punën me koalicionin PS ka një kalendar të përcaktuar për strukturimin brenda vetes. Një grup pune me 10 anëtarë i drejtuar nga Taulant Balla do të punojë deri në kongresin e 23 marsit për ndryshimet statusore. Ato parashikojnë transformimin e Forumit rinor të PS dhe atij të Gruas, jo si struktura ekskluzive të anëtarësisë, por si grupe interesi të regjistruara pranë partisë që bëhen pjesë e debatit pa qenë të detyruar të jenë pjesë e PS.