PS mbledh 50 firma për të shkarkuar Presidentin: Nxiti ndasi sociale dhe krijoi destabilitet!

3 Maj 2021, 15:59 | Përditesimi: 3 Maj 2021, 15:59

TIRANË-Ilir Meta mund të bëhet i pari kryetar shteti në historinë e Shqipërisë i shkarkuar nga ligjvënësit për shkelje të rënda të Kushtetutës së vendit. Mazhoranca socialiste, e vendosur që këtë nismë të dytë ta çojë deri në fund, nuk ka humbur kohë por ka mbledhur nga radhët e saj 50 firma nga 35 që duhen gjithsej për të materializuar sa më shpejt nisjen e procesit. 'Ilir Meta ka krijuar ndasi sociale, politike dhe ka nxitur daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët... duke sjellë deri në kryerjen e konflikteve me armë'. Përmes këtyre akuzave shumë të forta socialistët duan ta bëjnë Ilir Metën shembull, pasi sipas tyre nuk ka qenë në asnjë moment ashtu siç e 'urdhëron' Kushtetuta: i paanshëm dhe që përfaqëson unitetin e popullit.Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar si të vazhdueshme shkeljen e Kushtetutës nga ana e Metës. Balla ka thënë se në dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nisma e parë për shkarkimin e Presidentit Meta nuk u konkludua në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias. Nisur nga zyrtarizimi i nismës ka ardhur edhe reagimi i Presidentit Meta, i cili e konsideron ende një 'shashkë' gjithë këtë proces dhe bën thirrje që vëmendja të përqendrohet të krimet zgjedhore. Ndërkohë që sot paradite u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4 maj, 6 maj, 13 maj dhe 20 maj 2021.

b.ha./Shqiptarja.com