'Pse nuk largoi drejtorin e Policisë në 21 janar'?/ Basha me të njëjtin qëndrim si Berisha: Demonstruesit u vranë nga garda sepse sulmuan Kryeministrinë

15 Dhjetor 2020, 16:49

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në konferencën për shtyp që zhvilloi sot ka kthyer përgjigje pse më 21 janar, kur ai ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, nuk largoi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të policisë, siç po kërkon sot për Ardi Veliun. Basha përsëriti të njëjtin qëndrim që ka mbajtur në të gjithë këto vite, duke i ligjëruar vrasjet 4 katër demonstruesve në vitin 2011 pasi sipas tij protestuesit po sulmonin Kryeministrinë.

Basha bëri fajtor Gardën e Republikës pasi sipas tij ishin ata që bënë vrasjet. Madje sipas kryedemokratit njërin prej tyre, Rama e bëri kryebashkiak. Basha e cilëson ish-gardistin, sot kryebashkiak i Matit si "një njeri që me njerëzit e tij terrorizon Matin, njeri me precedent penal"duke mos dhënë shpjegime se si ka mundësi që një njeri i tillë sipas Bashës duhet të ishte në Gardën e Republikës, pikërisht në kohën kur kryedemokrati sot në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.