Psikiatrja për Report TV: COVID-i shkaktoi stres kolektiv! Si ta kalojmë? Fokusohuni te festat

11 Dhjetor 2020, 15:26

TIRANË- Jemi futur në muajin e dhjetë të pandemisë së COVID-19 në vendin tonë dhe kjo situatë e ngarkuar ka rritur numrin e qytetarëve që shfaqin probleme me stresin.

Psikiatrja Arjana Rreli tregon se tek personat që e kanë kaluar COVID-19, ky virus ka lënë gjurmët e tij.

“Aktualisht kemi shumë problematika që lidhen më tepër me çfarë përfshirja fizike nga COVID-19 tek personat që e kanë kaluar atë kanë lënë gjurmët e veta. Po ashtu nuk përjashtohen personat të cilët mbi bazën e problematikës të krijuar në terren, pra negativitetit dhe gjithë informacioneve që amplifikojnë impulse negative, shfaqin simptoma të stresit dhe të ankthit edhe pa u infektuar nga ky virus. Mendoj që sot nuk i shpëton dot askush këtij stresi i cili duket që është tashmë kolektiv”-u shpreh Arjana Rreli.

Shenjat e ankthin shfaqen më tepër nga qytetarët, numri i të cilëve që kanë nisur t'i pranojnë këto problematika është rritur, thotë psikiatrja.

“Është rritur numri i qytetarëve për faktin  jo vetëm që problematika është më frekuente kështu që nuk i shpëton dot ankimit dhe verbalizimit të këtyre problemeve por nga ana tjetër duket që ka një ulje të barrierës që mbart problematika e shëndetit mendor. Tashmë kjo barrierë është ulur për faktin që ndjehemi të gjithë pothuajse njësoj të stresuar dhe të trysuar nga ky lloj negativiteti kështu që kemi më pak kompleks për ta treguar problemin tonë”-tha psikiatrja.

Ajo cka Rreli u sugjeron qytetarëve për ta kaluar sa më lehtë periudhën e pandemisë, është stili i një jete të shëndetshme dhe fokusimi tek festat e fundvitit.