Psikologia për Report Tv: Çfarë duhet të bëni që fëmija ta ketë më të lehtë ditën e parë të shkollës

11 Shtator, 21:20

E hëna e 16 shtatorit, shënon nisjen e vitit të ri shkollor, ku për shumë fëmijë, do të jetë edhe dita e parë e shkollës. Por nëse një pjesë e madhe e tyre e presin me gëzim këtë ditë, një pjesë tjetër e vogëlushëve, ndihen të stresuar në ditën e parë të shkollës për shkak të ndjenjës për t’u larguar nga familja, veçanërisht nga nëna.

Psikologjia Lorela Garuli, shpjegoi për Report Tv se janë disa faktorë që ndikojnë në mënyrën se si fëmija përballon këtë ndryshim në moshë të hershme.

“Kryesisht është dhe vet natyra e fëmijës, sa social është, ka një rol shumë të madhe sa e ka parapërgatitur prindi në njëfarë mënyrë fëmijën për ndryshimin që do ti vijë. Një faktor tjetër sidomos për fëmijët që shkojnë për herë të parë në shkollë, është dhe fakti ka shkuar apo jo në çerdhe dhe kopsht, në sensin që a janë përshtatur në këtë mjedis social, me këtë institucion social siç është çerdhja dhe kopshti, a dinë të përshtaten në njëfarë mënyre me bashkëmoshatarët, me edukatoren, me përgjegjësitë më detyrat me rregullat”-u shpreh psikologjia.

Shpeshherë fëmijët i shfaqin vështirësitë që kalojnë me përshtatjen në jetën shkollore duke qarë, irritme, ndryshime në gjumë madje dhe në simptoma fizike si dhimbje barku apo dhimbje koke. Sipas Psikologes Garuli, prindërit duhet që t'i parapërgatitin fëmijët para fillimit të shkollës, për të shmangur sjellje të tilla.

 “Përpara se të fillojë shkolla është e rëndësishme që prindërit të fillojnë 'ti japin disa detyra të vogla shtëpie në njëfarë mënyre, për të mos i lënë gjatë gjithë kohës absolutisht të lirë, ose të fillojnë të lexojnë diçka, domethënë një aktivitet që ngjan me atë të shkollës por që gjithmonë të jetë pak edukativ jo aq shumë didaktik. Shumë e rëndësishme është që të mos i vendosin fëmijët nën trysninë e pritshmërive, pra mos t'i shoqërojnë në periudhën para shkollës me fjali të tipit  që  “duhet të dalësh mirë me mësime” kemi këto pritshmëri, këto objektiva etj. Nuk është e nevojshme sepse kjo është një nga arsyet kryesore se pse fëmijët shfaqin ankthin ndaj shkollës ose atë që ne e quajmë fobia ndaj shkollës”-tha Garuli.

Kategori të tjera