Edi Rama njoftoi se në Shtator PS-ja do të futet në një proces zgjedhor brenda partisë, ndërsa në Janar të vitit të ardhshëm do të mbledhë Kongresin. Ai u bëri thirrje ministrave dhe drejtuesve socialistë në rrethe të zbresin me këmbë në tokë dhe të dëgjojnë popullin.
"Energjitë që kemi investuar deri këtu nuk mjaftojnë më. Rendimenti ynë qeverisës nuk mjafton aspak pas 30 Qershorit dhe sidomos niveli i shërbimit të njerëzve, jo nuk mjafton, por nuk na nderon fare. Dhe duhet të na shqetësojë shumë fare të gjithëve. Këtë duhet ta kuptojmë thellësisht. Pasi nëse nuk e kuptojmë sa më parë aq më shpejt njerëzit do të humbasin durimin me ne. 30 Qershori tani është histori ndërsa dy vitet e mbetura dhe katër vitet e mandatit të ri që fillon për vendoren janë një borxh më i madh sesa ishte për ne si qeveri dhe nëse do të ishte për vendorët nëse do të kishim fituar në zgjedhje normale.
PS-ja do të hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori dhe deri në janarin e ardhshëm në Kongres dhe dua të ndaj me ju bindjen se objektivi ynë duhet të jetë realizimi i procesit më të thellë të komunikimit, organizimit dhe hapjes së PS-së, që kemi realizuar ndonjëherë në zgjedhjet tona të mëparshme. I gjithë lidershipi, nga unë i pari, dhe qeveria ministra dhe të tjerë së bashku me kryetarët e bashkive të zbresin në tokë në kuptimin e plotë të fjalës. Debat në cdo organizatë në degët e partisë. Zgjedhjet e tanishme nuk duhet t'u ngjajnë të mëparshmve, duhet debat kombëtar për të folur dhe dëgjuar dhe kuptuar" tha ai.