PS-ja rrëzon tetë dekretet e Metës/ Gjoni: Rama-Basha flirt, votojmë kundër 'Zgjedhores'! Balla: S'ka dashuri, por ftesë për dialog PD-së

12 Shtator 2019, 17:11

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar tetë dekrete të Presidentit Ilir Meta, shtatë që u kthyen për shqyrtim dhe njëri për emrin e propozuar nga kreu i shtetit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dekretet që u rrëzuan nga shumica socialiste në Kuvend janë; ligji për koncesionet, kontratat për rrugët Milot – Balldren dhe Orikum - Llogara, Porti i jahteve - By-Pass Orikum - Dukat, ai për rezervat materiale të shtetit, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare, për vetëqeverisjen vendore dhe planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Të njëjtin fat kishte edhe emri i propozuar për kryetar të KLSH-së, Petraq Milo, që u rrëzua nga socialistët. Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend Rudina Hajdari, por edhe Myslim Murrizi dhe emra të tjerë të opozitës së re votuan kundër rrëzimit të dekreteve të Presidentit për koncesionet duke i kritikuar si korruptive. Në seancën e sotme Besnik Dervishi u zgjodh për 5 vite Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, ndërsa Ervin Mete u emërua kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.Në seancën e sotme debati kryesor u zhvillua mbi reformën zgjedhore. Deputetët e opozitës së re Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi akuzuan se kryeministri Edi Rama po flirton me Lulzim Bashën për reformën zgjedhore në kurriz të popullit duke paralajmëruar votën e tyre kundër, por Taulant Balla u përgjigj duke thënë se nuk ka dashuri me opozitën në rrugë, por ftesë për dialog.

    No videos found.