Punimet drejt fundit, hapet autostrada Tiranë-Durrës

18 Janar 2019, 11:10

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se autostrada Tiranë-Durrës është hapur prej mesnatës, pasi kanë përfunduar punimet, të cilat zgjatën 14 ditë. Autostrada u mbyll për dy javë për shkak të vendosjes së tombinave për të shmangur përmbytjet në këtë segment.

Sot nga ora 00:00 hapet trafiku në segmentin rrugor Kaza Italia Mbikalim Kashar në të dyja drejtimet. Punimet për vendosjen e tombinove kanë mbaruar. Do të vazhdohet me punimet e tjera plotësuese, por këto nuk do të pengojnë trafikun normal të mjeteve. I kërkojmë ndjesë përdoruesve të rrugës dhe bizneseve për trafikun e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe i falenderojmë për mirëkuptimin.

Gjithashtu falenderojmë kompaninë dhe ekipin e saj për punën e tyre të pandalur, rezultati i të cilës bëri që punimet të mbaronin para afatit të përcaktuar
” thuhet në njoftimin e ARRSH-së. Vlera e punimeve është 342 000 euro pa TVSH. Kjo ishte ndërhyrja e dytë që bëhet në autostradë brenda pak muajve, pasi në verë u bë riparimi i shtresave asfaltike.