Punonjësja e DAR i del haptazi kundër ministres, Shahini: S'e di në cilin univers ndodh kjo

26 Prill 2019, 18:42

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini është gjendur në një situatë të çuditshme në qytetin e Dibrës, teksa një punonjëse e DAR Dibër i ka dalë kundër haptazi në publik. Punonjësja e DAR i ka kërkuar Besa Shahinit që mos lejojë bashkimin e dy gjimnazeve ”Said Najdeni” në një të vetëm dhe këtë kërkesë e ka specifikuar se e bën në cilësinë e një nëne qe ka fëmijë në atë shkollë dhe jo si një zyrtare e DAR. Por kjo kërkesë e punonjëses Margarita Markjae ka befasur ministren Shahini. Ministrja është shprehur se nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë që një punonjëse e ministrisë te dilte hapur kundër një vendimi, pasi presupozohet se të parët që do duhet të hartojnë dhe më pas t'i mbrojnë politikat dhe vendimet e ministrisë, janë pikërisht punonjësit e saj.

Punonjësja e DAR: Unë sot jam këtu jo si staf i DAR Dibër që ishim deri tani, por si dibrane, si nënë e fëmijëve që mësojnë në këto shkolla dhe jam këtu për të protestuar për bashkimin e gjimnazeve nga dy në një dhe nuk lejoj askënd në botë që të mbyll një gjimnaz në qytetin e Peshkopisë, por as në një qytet tjetër. Nëse ne mbyllim gjimnazin “Said Najdeni” do mbyllim një gjimnaz në Bulqizë, një gjimnaz në Selistë, një në Radomirë. Ky është misioni i ministrisë së Arsimit? Unë si dibrane, nuk flas në statusin e jusristes së DAR Dibër. Ministria ka hedhur duke legjitimuar mbylljen e një shkolle në Dibër.

Ministrja Shahini: Nuk e di në cilin univers proteston punonjësi i ministrisë kundër ministrisë

Ish-godina e Universitetit “Aleksandër Mosiu” filial i Durrësit në qytetin e Peshkopisë, pas mbylljes së universitetit u rikthye sërish në gjimnaz në nëntor të vitit 2017, duke u bërë gjimnazi “Said Najdeni” 2 me 550 nxënës po aq sa gjimnazi “Said Najdeni” 1. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, kjo shkollë është parashikuar që të mbyllet dhe kjo godinë të vihet në funksion të Bashkisë, por banorët kanë dalë kundër.