Punonte në fasoneri në Krujë, shkoi te i ati në Mat se i kishte prindërit e ndarë, si u infektua 16-vjeçarja

25 Prill 2020, 19:09 | Përditesimi i fundit: 2020-04-25 21:31:25

Sot u shënua rasti i parë me COVID në Mat duke e shtrirë hartën e të prekurve. Por kush është e infektuara? Report Tv mëson se e prekur ka rezultuar një vajzë 16-vjeçe, e cila kishte shkuar nga Fushë Kruja të takonte babanë, pasi prindërit i kishte të ndarë.

Pas ndarjes së prindërve, vajza së bashku me motrat dhe vëllezërit ishte zhvendosur në Krujë dhe jetonte me nënën. Në këtë qytet, 16-vjeçarja bashkë me nënën punonte në një nga fasoneritë, që u mbyllën për shkak të koronavirusit.

Prej 13 ditësh, vajza duke qenë se fasoneria ku punonte ishte mbyllur u zhvendos në Mat në fshatin Batër e Vogël për të takuar dhe qëndruar me të atin. Por ndërkohë që vajza vijonte që të qëndronte në Mat, nëna e saj në Fushë Krujë rezultoi e prekur me COVID dhe kërkoi që t'i bëhej testi menjëherë edhe së bijës.

Specialistët e ISHP-së dje shkuan në fshatin e Matit ku ndodhet vajza dhe i morën tamponin, që më pas rezultoi pozitive.  ISHP-ja pas vajzës u bëri tamponin edhe të atit të vajzës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe personave të tjerë që ka qenë 16-vjeçarja në kontakt në fshatin që ndodhet rreth 5 mln larg Burrelit. Përgjigjet e analizave priten nesër nga ISHP-ja.