Pak orë pasi Prokuroria e Durrësit vendosi të mbyllë hetimin për ekstradimin e Nezar Seitit, të njohur edhe si financieri i grupit të trafikantëve të drogës Habilaj, vjen reagimi i Parisë Demokratike.
Përmes një deklarate të djathtët thonë se ky vendim i vjen në shërbim, asaj që e quajnë mafia në pushtet. Po ashtu theksohet se me këtë vendim shpëtohet nga burgu ministja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Deklarate e Partisë Demokratike
Partia Demokratike e konsideron shërbim ndaj mafias në pushtet pushimin e hetimeve për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitajt, duke shpëtuar nga burgu përgjegjësen kryesore - Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Pushimi i hetimit është urdhëruar pavarësisht se vetë prokurorët e çështjes kanë konstatuar shkelje flagrante të ligjit nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Për vendimin e pushimit të hetimeve, Donika Prela, në atë kohë në krye të Prokurorisë së Durrësit, u shpërblye nga mafia në pushtet, duke u ngritur në detyrë si drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kundërshtim me ligjin.
Nëse i shërben Qeverisë promovohesh. Nëse i shërben krimit të organizuar ngrihesh në detyrë dhe bën karrierë. Nëse lufton bandat dhe kriminelët shkarkohesh nga detyra. Kjo është drejtësia që po instalon në Shqipëri Edi Rama.